Lista Serbe vë në dyshim pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale

Lista Serbe ka thënë se do ta shqyrtojë pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në Kosovë më 17 tetor, pasi ka akuzuar Prishtinën se po shkel marrëveshjet Marrëveshjet e Brukselit.

Reagimi i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës vjen pas vendimit Gjykatës së Apelit në Kosovë, e cila e ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviq, ishte dënuar me dy vjet burgim në nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Lista Serbe thotë se vendimin për pjesëmarrje, ose jo në zgjedhjet lokale do ta marrë pas konsultimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Duke pasur parasysh se Prishtina vazhdimisht shkel Marrëveshjen e Brukselit në dëm të serbëve në konsultim me presidentin, Aleksandar Vuçiq dhe udhëheqjen tonë, do të shqyrtojmë nëse do të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.

Ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit kanë reaguar edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës: Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit.

Sipas tyre, vendimi shkel në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Brukselit në fushën e drejtësisë dhe rrezikon të drejtat themelore të serbëve.

Ata kanë thënë se do të shqyrtojnë gjithashtu pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në reagimet e tyre kanë thënë se vendimi është marrë nga një panel njëetnik i gjyqtarëve dhe sipas tyre Marrëveshja e Brukselit për drejtësinë mes Kosovës dhe Serbisë parasheh panel me përzierje etnike.

Todosijeviq ishte dënuar pasi në mars të vitit 2019 gjatë një tubimi pati thënë se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Deklarata e tij përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave – fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë.

Ai në atë kohë mbante postin e ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, por u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore, mbrojtja e të pandehurit ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, duke thënë në ankesë se “mbrojtja konsideron se veprimi me të cilin ngarkohet i akuzuari nuk është vepër penale dhe për këtë aktakuza duhet të hedhet”

Sipas mbrojtjes, veprimi inkriminues nuk ka shkaktuar trazira, dhunë ose pasoja tjera të rënda siç parasheh në formën e rëndë të kësaj vepre Kodi Penal. Mbrojtja gjithashtu ishte thirrur në të drejtën e lirisë së shprehjes së mendimit.

Mirëpo Gjykata e Apelit në vendimin e saj ka thënë, ndër të tjera se, deklarimi i të akuzuarit në tubimin me qytetarë, ditën kritike, nuk mund të trajtohet si liri e shprehjes së mendimit por, ajo në vete përmban plotësisht formën e nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes ndaj popullatës së përkatësisë shqiptare në Kosovës.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe në Reçak ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish – shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker./REL


Shtuar 24.08.2021 21:25