Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në panelin ministror të Forumit Ekonomik të Vjenës, ku foli për bashkëpunimin rajonal, integrimin evropian dhe mundësitë e reja për investime e zhvillim ekonomik. Sipas saj, Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa përfshirjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Paneli me titull “Common Vision for a Longstanding Economic Cooperation” bëri bashkë ministra dhe përfaqësues të lartë nga Ballkani Perëndimor dhe rajoni më i gjerë. Në diskutim u trajtuan përparësitë e shteteve dhe synimet e tyre të përbashkëta për integrimin evropian. Kusari-Lila përgëzoi Malin e Zi për përparimin në këtë proces.
Të lidhura
None found
Gjatë prezantimit, ministrja foli për reformat ekonomike dhe legjislative të Kosovës, sektorët me potencial të lartë rritjeje dhe mundësitë konkrete të investimit. Ajo paraqiti marrëdhëniet ekonomike me Austrinë, si edhe potencialin e Kosovës në prodhim, inovacion dhe zhvillimin e parqeve eko-industriale. Kusari-Lila u bëri ftesë bizneseve ndërkombëtare të marrin pjesë në transformimin dhe zhvillimin industrial të Kosovës.
Për ftesën dhe organizimin e forumit, ajo falënderoi presidentin e Forumit Ekonomik të Vjenës, Dr. Emil Brix, dhe sekretaren e përgjithshme, ambasadoren Dr. Elena Kirtcheva.
Në përfundim, Kusari-Lila tha se një vizion i përbashkët për Ballkanin Perëndimor kërkon më shumë integrim, bashkëpunim, stabilitet dhe siguri, duke hapur mundësi për zhvillim ekonomik dhe prosperitet të qëndrueshëm për të gjithë.






