Çitaku kërkon përfshirjen e partnerëve ndërkombëtarë në ndryshimin e Ligjit për Specialen pas rivotimit

Vlora Çitaku, ushtruese e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në opozitë, pret që gjatë kësaj jave të thirret seanca për rivotimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ajo tha se, pasi ligji të miratohet sërish, PDK-ja do të nisë procedurën për ndryshimin e tij. Çitaku ftoi partnerët ndërkombëtarë të marrin pjesë në këtë proces me konsultime dhe propozime konkrete.

Të lidhura

None found

Sipas saj, amendamentimi do të synojë forcimin e ligjit dhe të qëndrueshmërisë së tij juridike. Çitaku theksoi se kërkesa për një proces të drejtë, bashkëpunimi me partnerët dhe rruga evropiane e Kosovës nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.

Deputetët nuk arritën të votonin javën e kaluar për ligjin e ndryshuar për Gjykatën Speciale, pasi seanca plenare e Kuvendit u ndërpre për mungesë kuorumi. Radio Evropa e Lirë ka pyetur kabinetin e kryeparlamentares Albulena Haxhiu se kur pritet të vazhdojë seanca, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Ligji u ndryshua më 6 tetor dhe më pas u kthye në Kuvend për rishqyrtim nga Presidenca, me kërkesë të PDK-së. Tani kjo parti kërkon që ai të rivotohet pa ndryshuar përmbajtjen, ndërsa mangësitë të trajtohen përmes një nisme të re legjislative.

Çitaku pret që ligji të vendoset i pari në rendin e ditës së seancës së ardhshme. Ajo u shpreh e bindur se palët do të tregojnë përgjegjësi dhe qasje konstruktive, ashtu si më 6 tetor, kur ligji u miratua.

Duke e cilësuar këtë periudhë sfiduese për Kosovën, Çitaku tha se ruajtja e kohezionit të brendshëm kërkon maturi, bashkëpunim dhe vendosmëri. Sipas saj, padrejtësitë e procesit e bëjnë edhe më urgjent ligjin që synon ta kthejë gjykatën te qëllimi i saj, dhënia e drejtësisë, në prag të vendimit të nesërm për administrimin e drejtësisë.

Ajo po i referohej shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar për pengim të drejtësisë. Në këtë çështje, Prokuroria në Hagë ka kërkuar dënim me 6 vjet burgim për ish-presidentin e Kosovës.

Ndryshimet ligjore u miratuan pas aktgjykimit dënues të 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u shpallën fajtorë për krime lufte. Mbrojtja po përgatit apelimin e vendimit të shkallës së parë, ndërsa Qeveria ka ngritur një grup punues për hartimin e strategjisë për fazën e apelit.

Miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nxiti kundërshtimin e Bashkimit Evropian. BE-ja paralajmëroi se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Në votimin e ndryshimeve morën pjesë në mbështetje deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ata të Aleancës. LVV-ja ka deklaruar se do ta votojë sërish ligjin, ndonëse ka folur edhe për një ngut të pashpjegueshëm dhe për dyshime serioze lidhur me zbatueshmërinë e tij.

Lidhja Demokratike e Kosovës, parti opozitare, nuk mori pjesë në atë votim. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka thënë më herët se ndryshimet nuk do të sjellin efektet juridike që kanë premtuar nismëtarët.

Kthimi i ligjit në Kuvend u bë më 22 tetor nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula. PDK-ja, e cila vetë e kërkoi këtë hap, argumentoi se synonte forcimin e bazës juridike dhe sigurimin e zbatimit të ligjit në praktikë.

Që ligji i miratuar më 6 tetor të konsiderohet i shpallur, në rivotim duhet të marrë të paktën 61 vota të deputetëve. Nëse nuk e arrin këtë numër, ai konsiderohet i pamiratuar.

Edhe përfshirja e rivotimit në rendin e ditës shkaktoi shqetësim te partnerët ndërkombëtarë. BE-ja, e cila i ka quajtur ndryshimet të papranueshme, ka njoftuar se po zhvillon konsultime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet e miratuara më 6 tetor.

Ligji i miratuar në tetor nuk e shfuqizon Gjykatën Speciale. Në këtë gjykatë janë trajtuar disa çështje për krime lufte dhe pengim të drejtësisë, si dhe janë shpallur disa aktgjykime. Ndryshimet, megjithatë, prekin aspekte kyç të funksionimit të saj.

Një prej tyre është përcaktimi i veprave që mund të shqyrtohen nga Specialja. Juridiksioni do të lidhej me pretendimet për trafikim organesh të paraqitura në raportin e vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili u bë shkak për krijimin e mekanizmit të drejtësisë në Hagë.

Sipas ndryshimeve, gjykata në Hagë do të trajtonte veprat e lidhura drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore. Në juridiksionin e saj do të hynin edhe vrasjet, torturat dhe trajtimi mizor e çnjerëzor në vendet specifike të ndalimit të përmendura në raport, kur këto vepra lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.

Si rrjedhojë, ligji synon t’ia heqë Speciales juridiksionin për ndjekjen e krimeve të tjera të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe dhunës politike që nuk kanë një lidhje të tillë të drejtpërdrejtë.

Ndryshon edhe periudha që mbulon juridiksioni i gjykatës. Ligji fillestar përfshinte krimet e pretenduara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, ndërsa ligji i miratuar më 6 tetor e kufizon atë nga 1 korriku i vitit 1999 deri më 31 dhjetor 2000.

Ndryshimet kërkojnë gjithashtu që të shqyrtohen vetëm krimet e pretenduara në territorin e Kosovës, duke përjashtuar veriun e Shqipërisë. Rastet që mbeten jashtë juridiksionit të Speciales synohet të transferohen në Kosovë; ligji parasheh transferimin atje edhe të rasteve që janë në procedurën e Gjykatës Supreme.

Për personat që dënohen, ndryshimet kërkojnë që dënimi maksimal të jetë deri në 15 vjet burgim. Ato parashohin edhe mundësinë që të dënuarit nga Gjykata Speciale të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Kjo mundësi bie ndesh me ligjin aktual për faljen, i cili përjashton kërkesën për falje presidenciale për vepra të caktuara kundër së drejtës ndërkombëtare. Kodi Penal i Kosovës i rendit krimet e luftës në këtë kategori.

Dhomat e Specializuara u themeluan mbi bazën e një ndryshimi kushtetues, një ligji të veçantë dhe zotimeve ndërkombëtare të Kosovës. Ndër këto zotime ishte konsultimi me BE-në për çdo nismë ligjore që ndikon në mandatin e gjykatës ose në procedurat gjyqësore të dala nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF).

Kosova ishte zotuar gjithashtu që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë të vazhdonin punën deri në përfundim të hetimeve dhe procedurave përkatëse. Ekspertë juridikë kanë paralajmëruar më herët se ndryshimet në mandat mund të ngrenë çështje kushtetuese dhe probleme lidhur me detyrimet ndërkombëtare të vendit.

Dhomat e Specializuara kanë deklaruar se nuk janë konsultuar për këtë nismë. Kryetarja e gjykatës, Ekaterina Trendafilova, ka thënë në një video-mesazh se institucioni që drejton garanton procese të pavarura dhe të paanshme në shërbim të drejtësisë.


Shtuar më 16.11.2026 18:32

grandpashabet resmi girişBursa Escortgrandpashabet resmi girişjojobetgrandpashabet güncel girişgrandpashabet güncel girişgrandpashabet güncel girişgrandpashabet girişgrandpashabet girişkahraman haberdeneme bonusu veren sitelercasinofast güncel girişstarzbetonline notarystarzbetgiftcardmall/mygiftextrabetjojobetmarsbahisgrandpashabet girişjojobetjojobetjojobetjojobetjojobet