Interpretimi i këngës “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë Forumit për Zgjerim të Bashkimit Evropian në Bruksel ka nxitur reagimin e ekspertit austriak dhe aktivistit për integrimin euroatlantik, Günther Fehlinger, i cili e ka cilësuar atë si të papranueshëm në aspektin politik.
Fehlinger argumenton se një këngë që lidhet me pretendimet nacionaliste serbe ndaj Kosovës nuk mund të shihet thjesht si pjesë artistike kur interpretohet në një veprimtari zyrtare të institucioneve evropiane.
Të lidhura
None found
Ai shprehet se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të presin respekt nga institucionet që u kërkojnë të besojnë te procesi i integrimit evropian. Për këtë arsye, eksperti kërkon që Komisioni Evropian dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, të sqarojnë rrethanat e ngjarjes.
“Komisioni Evropian duhet të ketë njohuri të mjaftueshme për rajonin për të kuptuar këto ndjeshmëri. Marta Kos dhe Komisioni duhet të bëjnë të ditur se kush e zgjodhi, e shqyrtoi dhe e miratoi repertorin, të pranojnë fyerjen e shkaktuar dhe të përcaktojnë përgjegjësinë”, ka deklaruar Fehlinger në një prononcim për “Bota sot”.
Ai kërkon gjithashtu të sqarohet nëse Marta Kos ka qenë personalisht në dijeni të përzgjedhjes së këngës, ndërsa nënvizon se përgjegjësia e saj për të dhënë një shpjegim në emër të institucionit mbetet e qartë.
Reagimi i tij lidhet edhe me mënyrën se si Bashkimi Evropian po e trajton Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Sipas Fehlingerit, ekziston rreziku që Brukseli ta vonojë përparimin e këtyre dy vendeve për t’iu përshtatur një qeverie të ardhshme në Serbi, e cila mund të drejtohet nga një listë studentore.
Ai mendon se një kabinet i tillë mund të përbëhet nga një platformë e larmishme politikisht, ku anëtarët do të kenë qëndrime të ndryshme për Kosovën dhe marrëdhëniet në rajon. Për të ruajtur kohezionin e brendshëm dhe për të mos i krijuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mundësi që të mobilizojë opozitën nacionaliste, kjo qeveri mund të shmangë vendimet e vështira.
“Brukseli nuk duhet të joshet nga ideja për ta lënë Kosovën dhe Bosnjën të presin pa afat vetëm për të ruajtur këtë koalicion. Dobësia politike e brendshme e Serbisë nuk mund të kthehet në veto joformale ndaj së ardhmes evropiane dhe euroatlantike të vendeve fqinje”, ka theksuar ai.
Fehlinger paralajmëron se një politikë e tillë mund të prodhojë një tjetër periudhë ngërçi, e cila do të vazhdonte deri në zgjedhjet e vitit 2029 për Parlamentin Evropian.
Në këtë kuadër, ai propozon që Kosova të nisë një proces të ri kushtetues dhe paraqet idenë e “Kosovës Federale”, të organizuar në pesë rajone shumëetnike, si pjesë e një Bashkimi Evropian Federal.
Eksperti e kundërshton modelin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi, sipas tij, organizimi i bashkëpunimit mbi bazën e përkatësisë etnike mund të forcojë ndarjet që integrimi evropian duhet t’i kapërcejë.
“Nga pikëpamja politike, modeli i Asociacionit përbën një rrugë pa dalje. Ai duhet të zëvendësohet me një marrëveshje kushtetuese dhe diplomatike të dakordësuar”, ka deklaruar Fehlinger.
Ai sqaron se propozimi nuk synon të anashkalojë detyrimet ekzistuese, por të ndryshojë qasjen përmes një zgjidhjeje politike dhe kushtetuese që do të pranohej nga palët.
Sipas skemës së tij, Kosova do të ndahej në pesë rajone me status të njëjtë kushtetues dhe asnjëri prej tyre nuk do të kishte karakter ekskluzivisht etnik. Qendrat e propozuara do të ishin Prishtina, Mitrovica, Peja, Prizreni dhe Gjilani.
Rajoni i Prishtinës do të përfshinte kryeqytetin dhe komunat përreth tij, duke u orientuar drejt administratës, universiteteve, kërkimit shkencor dhe ekonomisë së shërbimeve.
Mitrovica, sipas këtij propozimi, do të bashkonte komunitetet në të dyja anët e Ibrit përmes institucioneve të përbashkëta rajonale, ndërsa do të ofroheshin garanci të posaçme për gjuhët dhe komunitetet.
Peja do të kishte si fusha kryesore turizmin, bujqësinë, infrastrukturën malore dhe ruajtjen e trashëgimisë. Rajoni i Prizrenit do të pasqyronte përbërjen shumëgjuhësore dhe multikulturore të zonës.
Rajoni i Gjilanit do të shtrihej në pjesën lindore dhe juglindore të vendit. Përfshirja e Ferizajt dhe komunave përreth do të vendosej pas konsultimeve dhe shqyrtimit të lidhjeve infrastrukturore dhe shërbimeve.
Fehlinger nënvizon se këto janë vetëm qendra të propozuara dhe jo kufij përfundimtarë rajonalë. Sipas tij, ndarja duhet të përcaktohet duke u bazuar te distancat, lidhjet ekonomike, shërbimet publike dhe vullneti i banorëve, pa ndarje etnike apo zhvendosje të detyruar të popullsisë.
Në modelin e paraqitur, çdo rajon do të kishte kuvend dhe ekzekutiv të zgjedhur, me përgjegjësi për zhvillimin rajonal, planifikimin hapësinor, spitalet, administrimin e arsimit dhe transportin. Komunat do të vazhdonin të ushtronin kompetenca të rëndësishme të qeverisjes lokale.
Ndërsa në nivelin qendror do të mbeteshin çështjet e mbrojtjes, politikës së jashtme, shtetësisë, kontrollit të kufijve dhe përgjegjësi të tjera themelore të shtetit.
Një pjesë e propozimit lidhet me garantimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë, veçanërisht të serbëve në Kosovë. Fehlinger kërkon përfaqësim politik efektiv, shërbime dhe arsim në gjuhën serbe, mbrojtje nga diskriminimi dhe siguri për trashëgiminë fetare e kulturore.
Ai veçon Kishën Ortodokse Serbe dhe objektet e saj, duke kërkuar që ato të kenë mbrojtje efektive ligjore. Sipas tij, të njëjtat garanci duhet të zbatohen për të gjitha komunitetet, pavarësisht vendit ku jetojnë në Kosovë.
“Të drejtat duhet të jenë të vlefshme kudo ku jetojnë njerëzit. Një serb i Kosovës që jeton jashtë Mitrovicës duhet të ketë të njëjtën mbrojtje themelore si një serb i Kosovës brenda saj. I njëjti parim duhet të zbatohet për shqiptarët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët dhe të tjerët”, ka shkruar ai.
Fehlinger e përjashton gjithashtu shkëputjen e rajoneve, krijimin e strukturave paralele të autoritetit nga Beogradi dhe vendosjen e një vetoje etnike që do të mund të pengonte funksionimin e institucioneve të Republikës.
Ai vlerëson se pesë rajonet shumëetnike do të krijonin një model të përbashkët të vetëqeverisjes rajonale, ku serbët e Kosovës do të përfshiheshin si qytetarë të barabartë dhe do të kishin të garantuara të drejtat e komunitetit të tyre.
Në përmbyllje, Fehlinger i kërkon Bashkimit Evropian ta analizojë seriozisht këtë ide dhe të ndërtojë një rrugë të besueshme drejt integrimit. Ai u bën thirrje edhe pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta njohin atë.
Ndër objektivat e tij politike ai rendit anëtarësimin e Kosovës në NATO në vitin 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian në vitin 2029.
“Pesë rajone shumëetnike. Një Republikë sovrane e Kosovës. Shtetësi e barabartë dhe të drejta të garantuara për komunitetet. Kosova Federale në një Bashkim Evropian Federal deri në vitin 2029”, përfundon mesazhin e tij Fehlinger.







