Komiteti Disiplinor i Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës ka pezulluar për 12 ndeshje portierin e Andorrës, Jesus Owono, për ndërhyrjen e rëndë ndaj Jesús de Miguelit në ndeshjen kundër Tenerifes.
Ngjarja ndodhi në javën e 12-të të Segunda Division, në një takim që u mbyll 2-2. Ndërhyrja e Owonos i shkaktoi lëndim të rëndë sulmuesit kundërshtar. Portieri u ndëshkua me karton të kuq dhe më pas mori dënimin maksimal disiplinor.
Të lidhura
None found
Siç raporton mediumi AS, vendimi mbështetet në nenin 102 të rregullores disiplinore të Federatës. Ky nen parashikon pezullim nga katër deri në 12 ndeshje për sjellje të dhunshme ndaj një kundërshtari gjatë lojës, kur ajo sjell pasoja të rënda fizike ose traumatike.
Ndonëse ndaj Owonos u zbatua masa më e lartë, veprimi i tij nuk u cilësua si agresion, kategori për të cilën parashikohen ndëshkime edhe më të ashpra.
Sipas raportit të gjyqtarit, përjashtimi erdhi pas një përplasjeje të pakujdesshme me këmbën e ngritur ndaj kundërshtarit. Në atë aksion, kur topi ishte ende në lojë, portieri përdori forcë të tepruar.




