Më shumë se 60% e grave në ushtrinë gjermane kanë përjetuar ngacmime ose abuzime seksuale gjatë shërbimit, sipas një studimi për Bundeswehr-in.
Ky është studimi i parë gjithëpërfshirës mbi fenomenin në Bundeswehr. Ai u krye nga Qendra për Historinë Ushtarake dhe Shkencat Sociale në Potsdam dhe dokumenton raste që nisin nga komentet seksuale e sjelljet poshtëruese, deri te sulmet fizike dhe dhuna seksuale.
Të lidhura
None found
Mes rreth 4 mijë grave që morën pjesë në anketim, pothuajse 40% thanë se kishin dëgjuar komente sugjestive dhe shprehje me përmbajtje seksuale. Një tjetër 15% raportuan ngacmime përmes fotografive të shkrepura me telefona celularë pa pëlqimin e tyre; në disa raste, këto fotografi ishin manipuluar edhe me inteligjencë artificiale.
Pak më shumë se 8% e grave të anketuara deklaruan se kishin pësuar sulme fizike, ndërsa 2% thanë se kishin qenë viktima të dhunës seksuale.
Sjellje të ngjashme të papërshtatshme seksuale kanë përjetuar edhe rreth 19% e ushtarëve meshkuj. Studimi tregon gjithashtu se ushtarët homoseksualë dhe personat jobinarë preken në mënyrë disproporcionale.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i quajti gjetjet “të papranueshme” dhe premtoi tolerancë zero ndaj çdo sjelljeje të papërshtatshme, si edhe masa më të forta për mbrojtjen e personelit.
Ai veçoi si veçanërisht shqetësues mosbesimin e një pjese të konsiderueshme të viktimave ndaj mekanizmave të raportimit. Rreth një e treta e të anketuarve thanë se nuk i kishin denoncuar incidentet, ose nuk do ta bënin këtë, sepse dyshonin se eprorët do të merrnin masa konkrete.
Për ta bërë më të lehtë raportimin, ministria ka ngritur linjën telefonike HELP, që synon të mbështesë ushtarakët e përballur me ngacmime ose abuzime. Pistorius u zotua gjithashtu që viktimat të marrin më shumë informacion për ecurinë e hetimeve dhe të procedurave disiplinore.
Ministri njoftoi se studimi do të zhvillohet çdo vit. Ai kundërshtoi sugjerimet e disa kolegëve për të mos i bërë publike rezultatet, nga frika se ato mund të dëmtonin imazhin e ushtrisë.
Të dhënat publikohen ndërsa Gjermania po përpiqet të zgjerojë ndjeshëm forcat e armatosura. Bundeswehr synon të ketë 260 mijë ushtarë aktivë dhe 200 mijë rezervistë deri në vitin 2035, krahas investimeve prej miliarda eurosh në personel dhe pajisje ushtarake.
Sipas Pistorius, gratë në njësitë ku personeli femëror përbën një përqindje më të lartë hasin më rrallë ngacmime. Për ministrin, kjo përforcon nevojën për të rekrutuar më shumë gra në ushtri.
Për studimin u kontaktuan 45 mijë pjesëtarë aktualë dhe ish-pjesëtarë të forcave të armatosura. Rreth 18% e tyre iu përgjigjën anketimit.







