Të martën, më 10 nëntor, katër komisione parlamentare pritet të mblidhen për të trajtuar çështje institucionale, projektligje dhe takime me përfaqësues organizatash.
Në orën 10:00, Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese do të vlerësojë nominimet për gjyqtarë të kësaj gjykate, duke shqyrtuar nëse kandidatët përmbushin kriteret kushtetuese dhe ligjore.
Të lidhura
None found
Po në orën 10:00, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion do të shqyrtojë në parim Projektligjin për Efiçiencën e Energjisë. Anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës do të raportojnë për gjendjen e institucionit, ndërsa komisioni do të trajtojë edhe vendimin e presidentes për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Në të njëjtën orë do të zhvillojë mbledhje Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Persona të Pagjetur. Ai do të takohet me përfaqësues të organizatave të licencuara që mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për të diskutuar veprimtarinë e tyre dhe çështjet e marrjes së statusit të të mbijetuarve. Në rend dite është edhe ngritja e grupit punues që do të mbikëqyrë zbatimin e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë.
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të mblidhet në orën 11:00 për të shqyrtuar shpalljen e konkursit për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Në orën 13:00, Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport do të trajtojë krijimin e grupeve punuese për Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.






