St. Galleni fitoi 5-0 ndaj Luganos në javën e 13-të të Superligës së Zvicrës, ndërsa mesfushori kosovar Leon Frokaj vulosi rezultatin me golin e fundit të ndeshjes.
Futbollisti 21-vjeçar shënoi në minutën e 84-t, vetëm katër minuta pasi hyri në lojë. Ky ishte realizimi i tij i dytë në nëntë paraqitje këtë sezon.
Të lidhura
None found
Frokaj kishte gjetur rrjetën edhe më 9 gusht, në ndeshjen kundër Thunit, skuadrës që aktualisht mban titullin e kampionit të Zvicrës.
St. Galleni pati avantazh të madh numerik që nga minuta e 11-të, kur Albian Ajeti u përjashtua me karton të kuq dhe Lugano mbeti me dhjetë lojtarë për pjesën më të madhe të takimit.
Në fushë u paraqitën edhe futbollistë të tjerë shqiptarë: Betim Fazliji u aktivizua për St. Gallenin në minutën e 76-të. Te Lugano, Uran Bislimi luajti deri në minutën e 80-të, ndërsa Ezgjan Alioski u fut në lojë në minutën e 65-të.
Edhe pas kësaj humbjeje, Lugano mbetet në krye të renditjes me 34 pikë. St. Galleni ka grumbulluar 22 pikë.






