Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka filluar zbatimin e Programit të Përhershëm të Survejimit dhe Monitorimit të Sektorit të Qumështit. Programi parashikon kontrolle periodike dhe analiza laboratorike në çdo hallkë të prodhimit, përpunimit, importit dhe tregtimit të qumështit e produkteve të tij.
Në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit, programi synon të sigurojë cilësinë dhe sigurinë e produkteve, duke zbuluar në kohë rreziqet dhe shkeljet e mundshme të kërkesave ligjore.
Të lidhura
None found
Mbikëqyrja do të nisë nga ushqimi i kafshëve dhe prodhimi i qumështit në ferma, për të vijuar me grumbullimin, transportin, përpunimin, paketimin, importin, shpërndarjen dhe tregtimin. Kontrollet do të zbatohen si për produktet vendore, ashtu edhe për ato të importuara.
Çdo muaj, sipas llojit të produktit dhe nivelit të rrezikut, do të kryhen analiza laboratorike fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe të sigurisë ushqimore.
Laboratorët do të shqyrtojnë përbërjen e produkteve, përfshirë sasinë e yndyrave dhe proteinave, si dhe praninë e vajit të palmës e të yndyrave të tjera bimore. Do të verifikohen gjithashtu përdorimi i qumështit pluhur, aflatoksinat, mbetjet e antibiotikëve dhe substancat e tjera të palejuara.
Për të parandaluar rreziqet ndaj shëndetit të konsumatorëve, kontrollet do të kërkojnë edhe mikroorganizma të rrezikshëm, ndër ta Salmonella, Listeria monocytogenes dhe Escherichia coli.
AUV thotë se programi është pjesë e iniciativës së ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja. Nisma synon forcimin e mbikëqyrjes së sektorit të qumështit dhe respektimin e standardeve ligjore për cilësinë, përbërjen, etiketimin dhe sigurinë ushqimore.
Përmes bashkëpunimit me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit, prodhuesit synohet të përfshihen aktivisht në përmirësimin e standardeve, shkëmbimin e informacionit mbi rreziqet dhe nxitjen e praktikave të mira të prodhimit. AUV, megjithatë, do të mbetet e pavarur në planifikimin e kryerjen e kontrolleve zyrtare, marrjen e mostrave dhe vendimet inspektuese.
Programi synon gjithashtu të zëvendësojë kontrollet kryesisht reaktive me një mbikëqyrje të planifikuar sipas vlerësimit të rrezikut. Kështu, inspektimet dhe analizat do të përqendrohen më shumë te produktet dhe operatorët ku janë vërejtur rreziqe më të larta ose mospërputhje të përsëritura.
Kur të zbulohen shkelje, sipas AUV-së, do të zbatohen masa ligjore. Ato përfshijnë ndalimin e tregtimit, tërheqjen e produkteve që nuk plotësojnë standardet dhe nisjen e procedurave ndaj operatorëve përgjegjës.
Me këtë program synohet edhe afrimi i sistemit të sigurisë ushqimore të Kosovës me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, në veçanti me kërkesat e Kapitullit 12 për sigurinë ushqimore dhe politikat veterinare e fitosanitare.
Në përfundim, programi synon mbrojtjen e shëndetit publik, më shumë transparencë për përbërjen e produkteve dhe një zinxhir të sigurt të qumështit, nga ferma deri në tryezën e konsumatorit.







