Paolo Montero, ish-legjenda e Juventusit, ka shprehur admirimin e tij për Edon Zhegrovën, duke nënvizuar se futbollisti kosovar duhet të ketë më shumë hapësirë në fushë dhe se ndaj tij nevojitet durim.
Gjatë një interviste për kanalin e Tuttosport në YouTube, Montero tha se e pëlqen mënyrën e lojës së Zhegrovës dhe e cilësoi atë si një futbollist me tipare të ngjashme me lojtarët brazilianë.
Të lidhura
None found
“Zhegrova më pëlqen shumë. Është një lojtar me stil brazilian. Sa herë që aktivizohet, duhet të qëndrojë më gjatë në fushë. E kam ndjekur edhe kur luante në Francë, ndaj duhet treguar durim me të”, deklaroi uruguaiani.
Montero përmendi edhe rastin e Zinedine Zidane për të ilustruar nevojën që një lojtarit t’i jepet kohë për t’u përshtatur. Sipas tij, francezi nuk u vlerësua menjëherë pas transferimit te Juventusi.
“Kur Zidane erdhi në Torino, Juventusi mendonte ta largonte që në janar. Më pas të gjithë e pamë se çfarë futbollisti u bë. Përshtatja me një ambient të ri nuk është e thjeshtë, ndërsa fanella e Juventusit ka një peshë të madhe. Të gjithë kërkojnë rezultate të menjëhershme, sepse Juventusi duhet të fitojë çdo ditë”, u shpreh ai.
Ish-mbrojtësi foli gjithashtu për një duel të mundshëm personal me Zhegrovën, duke pranuar se do ta kishte të vështirë ta ndalonte anësorin kosovar në një përballje një kundër një.
“Nëse Zhegrova do të vinte me top drejt meje, do të ishte shumë e vështirë ta ndaloja. Kur merr vrull dhe të sulmon drejtpërdrejt, është një lojtar tepër i vështirë për t’u përballuar”.
Montero shtoi se mbrojtësi duhet të përqendrohet te topi dhe jo vetëm te kundërshtari. “Duhet të ndjekësh gjithmonë topin, jo lojtarin. Në këtë mënyrë mund të arrish ta fitosh ndonjëherë zotërimin e tij; në të kundërt, lojtari nuk do të ketë mundësi të të kalojë”, përfundoi ai.








