Ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi reagoi në rrjetet sociale për vizitën e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit, ku ai takoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Reagimi vjen në sfondin e përplasjes në PS.
Veliaj ka deklaruar se kryeministri Edi Rama e ka kërcënuar dhe i ka kërkuar të japë dorëheqjen, si dhe t’ia lërë drejtimin e Bashkisë së kryeqytetit Arbër Hajdarit.
Të lidhura
None found
Meksi thotë se vërtetimi i pretendimeve të Veliajt do të përbënte një skandal. Ajo i kërkon ministrit Gogut të sqarojë publikisht jo vetëm rrethanat e vizitës, por edhe ligjshmërinë e saj.
Postimi i ish-ministres socialiste Ermelinda Meksi
Institucionet në provë
Letra e Erion Veliajt dhe përgënjeshtrimi i ministrit Gogu nuk janë thjesht shenja të një konflikti mes dy ish-miqsh apo të një përplasjeje brenda Partisë Socialiste. Ngjarja ka peshë shumë më të madhe.
Nëse provohen pretendimet e Veliajt, do të krijohej një precedent tejet shqetësues: autoriteti dhe mjetet shtetërore do të ishin përdorur për presion politik ndaj një personi në paraburgim.
Mohimi i ministrit nuk përbën përgjigje të mjaftueshme; ai duhet mbështetur me fakte dhe transparencë. Një deklaratë përgënjeshtruese nuk e çliron ministrin nga përgjegjësia institucionale.
Në çfarë cilësie shkoi ministri në burg? Ku dhe në ç’mënyrë u zhvillua vizita, si u dokumentua dhe kush ishte në dijeni?
Këto pyetje kërkojnë përgjigje. Institucionet përgjegjëse duhet të shqyrtojnë çdo pretendim, të bëjnë publike faktet dhe të përcaktojnë përgjegjësitë. Heshtja e institucioneve ose një mohim formal nuk përbëjnë llogaridhënie.
Çështja kërkon që përgjegjësitë të trajtohen në tri nivele:
– Ministri i Drejtësisë duhet të sqarojë tërësisht rrethanat dhe ligjshmërinë e vizitës.
– Kryeministri duhet të sigurojë se pushteti ekzekutiv nuk është përdorur për presion apo marrëveshje politike.
– Institucionet e drejtësisë duhet t’i verifikojnë pretendimet në mënyrë të pavarur, duke garantuar ligjshmërinë e procesit dhe respektimin e të drejtave të individit.
Kjo nuk do të thotë se Veliaj mbrohet nga përgjegjësia për akuzat ndaj tij. Ato duhet të hetohen dhe të gjykohen nga drejtësia. Në fjalë është mbrojtja e parimeve themelore të një shteti demokratik: të drejtat e njeriut nuk mund të varen nga simpatitë politike, as nga fakti nëse dikush është i fuqishëm apo qytetar i zakonshëm.
Nëse kjo mund t’i ndodhë një kryetari bashkie, çfarë garancish ka qytetari i zakonshëm?
Shteti nuk i përket askujt, drejtësia nuk duhet të shndërrohet në mjet të pushtetit dhe liria e dinjiteti i individit nuk mund të kthehen në objekt pazaresh politike.
Kjo është një çështje që lidhet me shtetin, institucionet dhe demokracinë tonë.
E. Meksi, 2 Nëntor 2026






