Gjatë fjalës së saj para Kryeministrisë, një protestuese kritikoi ashpër mënyrën e menaxhimit të tubimeve nga Policia e Shtetit dhe akuzoi qeverinë se ka përdorur forcë ndaj qytetarëve, studentëve dhe të miturve.
Ajo vuri në dyshim përdorimin e një droni me vlerë 300 mijë euro, automjeteve të ujit dhe mjeteve të tjera të ndërhyrjes gjatë protestave. Sipas protestueses, në përplasje janë përdorur edhe armë të ftohta dhe lëndë kimike, të cilat, siç pretendoi ajo, kanë shkaktuar pasoja edhe te punonjësit e policisë.
Të lidhura
None found
Protestuesja deklaroi se synimi i Policisë është largimi i qytetarëve nga rruga, ndërsa efektivët, sipas saj, po shpërblehen nga qeveria për veprimet ndaj protestuesve.
“Policia do që ne të largohemi. Por nuk është vepër penale droni 300 mijë euro, makinat e ujit që pamë dje, armët e ftohta të përdorura kundër fëmijëve, kur studentëve dhe minorenëve u thyhen këmbët, përdorimi i lëndëve kimike ndaj protestuesve? Helmet e përdorura janë edhe në dëm të policisë, por këta janë të paaftë dhe nuk e kuptojnë. U jep shpërblim policisë Rama që të dhunojnë protestuesit”, u shpreh ajo.
Më tej, ajo tha se qytetarët po kërkojnë drejtësi dhe se protesta do të vijojë. Në deklaratën e saj, protestuesja përdori gjuhë të fortë ndaj kryeministrit dhe shprehu bindjen se qeveria do të bjerë.
“Boll na bëtë për budallenj, sorra e korba, boll ju dëgjuam. Ju ka ardhur fundi, mos sot, nesër ky do të rrëzohet. Ndaj ka marrë mjete të rënda. Po kërkojmë drejtësinë”, deklaroi protestuesja.






