Aktivistë dhe qytetarë kanë vijuar protestat para institucioneve që nga e mërkura, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe dorëheqjen e dy ministrave, Donika Gërvalla e Xhelal Sveçla.
Raportet e hartuara nga dy ministritë që drejtojnë Gërvalla dhe Sveçla kanë evidentuar dështime në mbrojtjen e jetës së Arlinda Zekajt. Megjithatë, të dy ministrat kanë dhënë të njëjtën përgjigje për kërkesat që ata të largohen nga detyra.
Të lidhura
None found
Politologë dhe njohës të çështjeve sociale i kanë kritikuar ministrat për faktin se nuk kanë dhënë dorëheqjen, pavarësisht përfundimeve të raporteve.
Politologu Ramiz Ismajli e konsideron të domosdoshme dorëheqjen, duke theksuar se një vendim i tillë nuk nënkupton automatikisht pranimin e fajësisë.
“Dorëheqja nuk është medoemos pranim i fajit. Ajo lidhet me ndjenjën e përgjegjësisë dhe respektin ndaj qytetarëve, prandaj zonja Gërvalla dhe zoti Sveçla mbajnë përgjegjësi”, ka thënë Ramiz Ismajli, politolog.
Sipas Ismajlit, pas këtij dështimi duhet të ndërmerren hapa për ndryshimin e sistemit.
“Ministri Sveçla dhe ministrja Gërvalla nuk duhet të presin rritjen e presionit qytetar. Dorëheqja duhet të jetë një akt moral, pasi ata nuk i kanë evidentuar mangësitë e sistemit. Pikërisht këtu duhet të nisin reformat në drejtësi dhe në polici, për të parë se çfarë nuk funksionon dhe çfarë duhet ndryshuar”, ka thënë Ramiz Ismajli, politolog.
Sociologu Bekim Selishta ka deklaruar se dorëheqja është e domosdoshme dhe se edhe kryeministri duhet ta shqyrtojë një mundësi të tillë.
“Vetë kryeministri duhet të mendojë për dorëheqjen, sepse në këtë situatë ajo do të ishte akti moral më i vogël që mund të ndërmerret përballë një ngjarjeje që ka tronditur vendin tonë”, ka thënë Bekim Selishta, sociolog.
Selishta është shprehur gjithashtu për nevojën e dorëheqjes së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha.
“Në pozitën që mban, zoti Hoxha duhej të ishte i fundit që do të jepte dorëheqjen në raport me politikën. Në këtë rast kemi parë dështimin e politikës, ndërsa edhe fjalimi i Donika Gërvallës në Kuvend e ka forcuar bindjen se ajo duhet të largohet”, ka thënë Bekim Selishta, sociolog.






