Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjeta Pajazitajt, ka reaguar ndaj emërimit të Valbona Disha Haxhosajt në krye të prokurorisë. Ai shprehu pakënaqësi që, edhe pas 11 vjetësh, çështja e motrës së tij nuk ka përfunduar me një epilog përfundimtar.
Në një reagim publik, Pajazitaj vuri në dyshim emërimin dhe kërkoi nga institucionet përgjegjësi e shpjegime për mënyrën e trajtimit të rastit të Donjeta Pajazitajt.
Të lidhura
None found
“Në vend që të bëhet thirrje për drejtësi, ky vendim po e thellon edhe më shumë mosbesimin tim ndaj sistemit të drejtësisë!”, shkroi ai.
Ai kërkoi të dijë se kush do të përgjigjet për pritjen e gjatë deri në zbardhjen përfundimtare të rastit dhe kush do të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar çështja.
“Kush do të japë përgjigje për këto vite pritjeje? Kush do të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar rasti i Donjetës?”, shkroi Pajazitaj.
Pajazitaj u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse të jenë transparente, të japin llogari dhe të ofrojnë sqarime konkrete. Sipas tij, familja ka të drejtë të mësojë se çfarë ka ndodhur me rastin.
Donjeta mbetet e vrarë pa një autor të dënuar, ndërsa prokurorja që trajtoi çështjen është emëruar në një pozitë drejtuese.
Më 8 qershor 2017, Disha-Haxhosaj ngriti aktakuzë ndaj Naser Pajazitajt, duke e akuzuar për vrasjen e 24-vjeçarit.
Rasti kaloi në disa procese gjyqësore, ku u morën vendime të ndryshme, nga lirimi deri te burgimi i përjetshëm.
Në prill të vitit 2023, Gjykata Supreme e liroi përfundimisht Naser Pajazitajn nga akuza për vrasje, për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme.
Vendimi i dha fund çështjes ndaj tij, por jo përpjekjeve të familjes për të zbuluar të vërtetën rreth vrasjes së Donjetës.






