Agron Duka për transferimin e Veliajt në Fier: “Nuk ka sekret shtetëror, Rama po përballet me një luftë brenda PS-së”

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, deklaroi në emisionin Prime News24 se transferimi i Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit nuk lidhet me ndonjë çështje sekreti shtetëror.

Sipas tij, lëvizja është e ekzagjeruar dhe deri në kufijtë e absurdit. “Nuk mendoj se pas transferimit të tij fshihet ndonjë sekret shtetëror. Është butafori, madje qesharake. E çuan brenda një dite nga Durrësi në Fier dhe tani mbetet të shohim se si do të vijojë situata”, u shpreh Duka.

Të lidhura

None found

Duke krahasuar dy institucionet e vuajtjes së dënimit, ai tha se burgu i Durrësit ofron kushte më të lehta, ndërsa në Fier kontrollet janë më të rrepta dhe komunikimi është shumë më i vështirë.

“Burgu i Durrësit njihet si më komod në raport me Fierin. Në burgun e Fierit ka kontrolle të shumta dhe përdorimi i komunikimeve është shumë i vështirë”, deklaroi kreu i PAA-së.

Duka foli edhe për reagimet e Veliajt kundër transferimit, si dhe për zhvillimet e fundit politike e protestat e studentëve. Ai pretendoi se kryebashkiaku i Tiranës, përmes një statusi në rrjetet sociale dhe reagimit ndaj ish-presidentit serb Aleksandër Vuçiç, u pozicionua qartë në mbështetje të studentëve, duke bërë një paralelizëm me situatën në Shqipëri.

“Mendoj se Veliaj u rreshtua qartazi në krah të protestave studentore përmes statusit të tij, pas reagimit ndaj Vuçiçit. Nëse emrat do të zëvendësoheshin me atë të Ramës, mesazhi do të ishte i njëjtë. Në këtë periudhë, Rama po ruhet nga të gjithë. Nuk bëhet fjalë për një përplasje parimore, por për interesa që janë prekur”, tha Duka.

Ai komentoi më tej edhe situatën brenda Partisë Socialiste, duke vlerësuar se deklaratat në mbështetje të Veliajt përbëjnë sinjale të drejtpërdrejta edhe për kryeministrin Edi Rama.

Sipas Dukës, përplasjet brenda mazhorancës nuk burojnë vetëm nga bindjet politike, por edhe nga interesat dhe ndikimet e grupeve të ndryshme. “Rama ka përdorur shkelmat që prej ardhjes së tij në pushtet. Në një moment, këto veprime do t’i kthehen bumerang, sepse ai nuk është profeti që mendon se është. Edhe brenda PS-së ka njerëz me ndikimin dhe grupet e tyre. Këtu kemi një luftë brenda llojit. Reagimet në favor të Veliajt janë gjithashtu mesazhe për Ramën, ndaj them se kazani zien edhe në PS”, përfundoi ai.