Google po përgatit një përditësim të ri për shfletuesin Chrome, i cili do ta bëjë më të zgjuar dhe më efikas plotësimin automatik të formularëve në internet përmes inteligjencës artificiale (AI).
Sipas kompanisë, versioni i përmirësuar i këtij funksioni do t’u mundësojë përdoruesve të plotësojnë të dhënat në formularë duke shfrytëzuar informacionin e marrë nga llogaritë e tyre në Gmail.
Të lidhura
None found
Chrome do të jetë në gjendje të propozojë të dhëna si numrat e konfirmimit të fluturimeve, numrat e anëtarësimit, informacionet për gjurmimin e dërgesave, numrat e porosive, adresat, numrat e telefonit dhe të dhënat e kartelave të kreditit, të cilat do t’i gjejë në mesazhet elektronike të përdoruesit.
Kjo risi është pjesë e zgjerimit të funksionit Personal Intelligence të Google. Ky funksion u jep përdoruesve mundësinë të lidhin aplikacionet e tyre me asistentin e inteligjencës artificiale Gemini, në mënyrë që të kërkojnë informacione specifike dhe të marrin përgjigje për pyetje më të ndërlikuara.
Megjithëse paraqitet si një përmirësim i vogël, opsioni i ri mund ta thjeshtojë ndjeshëm përdorimin e Chrome. Përdoruesit nuk do të kenë më nevojë të hapin skeda të ndryshme për të gjetur numrin e një porosie ose hollësitë e një rezervimi, pasi këto të dhëna mund t’u shfaqen gjatë plotësimit të formularit.
Funksionaliteti i ri ngjason me një veçori të pranishme prej kohësh në pajisjet Apple, të cilat njohin automatikisht kodet e verifikimit të dërguara përmes SMS-ve dhe i vendosin mbi tastierë, duke mundësuar futjen e tyre me një prekje.
Google ka deklaruar se informacionet e ndjeshme do të jenë të enkriptuara. Përmes cilësimeve të Chrome, përdoruesit do të kenë gjithashtu mundësi të zgjedhin nëse duan ta përdorin këtë funksion të avancuar.
Shpërndarja e funksionit ka filluar gradualisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kompjuterë dhe pajisje që përdorin sistemet operative iOS dhe Android. Ai është i qasshëm për përdoruesit e Gemini në Chrome, të cilët e kanë aktivizuar edhe Personal Intelligence.






