Hapësira që ishte parashikuar të shërbente si strehë për punëtorët e angazhuar në ndërtimin e pishinës, është kthyer në një vend ku, sipas mbetjeve të gjetura, përdoren lloje të ndryshme droge. Objekti i vogël ndodhet në oborrin e shkollës fillore “Kirili e Metodij” në Tetovë.
Rreziku për nxënësit shtohet edhe për shkak se hapësira nuk është rrethuar apo izoluar nga pjesa tjetër e shkollës, ndërsa të hapura kanë mbetur edhe gropat e pishinës. Drejtoresha deklaron se rastin e ka denoncuar në polici, por nga SPB Tetovë mohojnë se kanë marrë një raportim të tillë.
Të lidhura
None found
Drejtoresha e shkollës, Sihana Kaba Kasami, tha se përmes kamerave të sigurisë monitoron gjithçka, por për situatën është informuar nga mediat.
Gazetari: A e keni denoncuar rastin në polici dhe a keni ndërmarrë masa për izolimin e objektit, duke qenë se ai ndodhet në oborrin e shkollës?
“Objekti është në oborrin e shkollës sonë, por ne nuk kemi më kompetenca mbi atë pjesë, pasi ajo i është dorëzuar investitorit. Për rrjedhojë, përgjegjësia i takon investitorit dhe nuk është më nën kujdesin tonë. Edhe unë, njësoj si ju, e kam parë atë incizim”, u përgjigj Sihana Kaba Kasami, drejtoreshe e Sh.F. “Kirili e Metodij”.
“Në Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë, gjatë javës së kaluar, por edhe më herët, nuk ka pasur raportim zyrtar për një rast të tillë”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Kasami tha gjithashtu se gjatë ditës në shkollë qëndrojnë dy policë, të cilët kujdesen për procesin mësimor dhe lëvizjen e nxënësve gjatë pushimit të gjatë.
“Gjatë ditës kemi edhe sigurim. Dy policë janë të shpërndarë në shkollën tonë dhe ndjekin zhvillimin e procesit mësimor, si dhe lëvizjen e nxënësve gjatë pushimit të gjatë”, u shpreh drejtoresha Kasami.
Policia e mohoi edhe këtë deklaratë, duke sqaruar se nuk ka pjesëtarë të angazhuar posaçërisht për shkollën “Kirili e Metodij”.
“Nuk ka policë të caktuar enkas për një shkollë të vetme. Kur në një zonë ndodhen dy shkolla, pjesëtarët e policisë patrullojnë ose mbulojnë të dyja objektet”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Ndjenja e pasigurisë te nxënësit shtohet edhe nga parkimi i automjeteve të punonjësve brenda oborrit të shkollës, ku lëvizin nxënësit e arsimit fillor./Alsat.mk.






