Pas vrasjes së Arlindës, kishte menduar t’i jepte fund jetës” – çfarë u tha në gjykatë për Albert Sylajn

Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, do të qëndrojë një muaj në paraburgim. Gjykata Themelore në Pejë e mori këtë vendim pasi miratoi kërkesën e Prokurorisë.

Sylaj dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Ai u arrestua të martën në mbrëmje në Deçan. I dyshuari ishte në arrati që nga mbrëmja e 25 tetorit, kur dyshohet se ndodhi vrasja.

Të lidhura

None found

Në seancë, mbrojtja kundërshtoi masën e paraburgimit, duke pretenduar se Sylaj nuk përbën rrezik dhe se largimi i tij nuk kishte për qëllim të dilte nga shteti.

Sipas të dhënave për rastin, pas vrasjes së Arlindës me sëpatë, Sylaj dyshohet se kishte planifikuar të vetëvritej. Pas bisedimeve me Policinë, në të cilat ndërmjetëse ishte nëna e tij, ai u bind të dorëzohej.

I dyshuari ka pretenduar gjatë procedurës se e kreu vrasjen në afekt. Në përfundim të seancës, gjyqtari vendosi që ai të mbahet një muaj në paraburgim.

Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga institucionet

Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës. Ajo kishte pasur probleme me bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj, dhe u ishte drejtuar organeve të drejtësisë për ndihmë, duke paralajmëruar se mund t’i ndodhte më e keqja.

Ngjarja ka risjellë shqetësimet lidhur me mbrojtjen që institucionet u ofrojnë grave të cilat raportojnë dhunë dhe kërkojnë ndihmë nga autoritetet.

Në Prishtinë, ndërkohë, u organizua protestë për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe të grave të tjera të vrara në Kosovë. Pjesëmarrësit kërkuan drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për rastet e dhunës ndaj grave.


Shtuar më 28.10.2026 23:07