Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë refuzuar propozimin për t’i dhënë Kanadasë statusin e “anëtarit të asociuar”, duke kërkuar që marrëveshja të fokusohet te thellimi i bashkëpunimit mes dy palëve.
Një grup vendesh, mes tyre Gjermania, Franca dhe Greqia, kundërshtoi përfshirjen e kësaj shprehjeje në draftin e fundit të deklaratës së përbashkët BE-Kanada, sipas Politico. Dokumenti pritet të bëhet publik gjatë Samitit BE-Kanada, që do të zhvillohet në Montreal.
Të lidhura
None found
Ideja ishte hedhur fillimisht nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin për Gjendjen e Unionit në shtator. Ajo kishte propozuar që Kanadasë t’i jepej një status i veçantë në raport me BE-në, por nisma shkaktoi habi te disa vende anëtare.
Drafti i mëparshëm parashikonte që BE-ja dhe Kanadaja të punonin deri në Samitin BE-Kanada të vitit 2027 për të përcaktuar kuptimin e “anëtarësimit të asociuar”. Synimi i këtij mekanizmi ishte rritja e bashkëpunimit në fushat e prosperitetit, sigurisë ekonomike dhe autonomisë strategjike.
Ndërsa versioni i ri e ka hequr këtë referencë dhe e zëvendëson me një angazhim për krijimin e një marrëdhënieje edhe më të afërt mes Kanadasë dhe Bashkimit Evropian. Palët synojnë gjithashtu të përcaktojnë deri në vitin 2027 domethënien e një “shoqërimi gjithnjë e më të ngushtë”, pa e lidhur atë me anëtarësimin e plotë.
Drafti nuk është miratuar ende përfundimisht.
Edhe pse termi përkatës ka hasur kundërshtime, Brukseli synon ta zgjerojë ndjeshëm bashkëpunimin me Kanadanë, ndërsa të dyja palët po përpiqen të forcojnë marrëdhëniet ekonomike dhe të sigurisë.
Kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi të martën se emërtimi i marrëdhënies nuk përbën çështjen kryesore. “Lajmi i mirë është se emrat ose terminologjia specifike nuk kanë rëndësi”, tha ai, duke nënvizuar se rëndësi ka ndikimi që marrëveshja do të ketë në jetën e qytetarëve kanadezë.






