Tre vëllezërit Alexander dënohen me nga 30 vjet burg për përdhunimin e grave

Tre vëllezërit Alexander, mes tyre dy manjatë të pasurive të paluajtshme, do të vuajnë secili nga 30 vjet burg për pjesëmarrjen në një skemë abuzimi seksual. Për dekada, ata droguan dhe përdhunuan dhjetëra gra.

Tal Alexander, 40 vjeç, dhe binjakët Oren e Alon Alexander, 39 vjeç, u shpallën fajtorë në mars. Sipas akuzave, ata shfrytëzonin pasurinë dhe pozitën shoqërore për t’i ftuar gratë në festa e banesa luksoze, ku më pas i sulmonin seksualisht.

Të lidhura

None found

Para se të shpallte vendimin në gjykatën federale të Nju Jorkut, gjyqtarja Valerie Caproni u tha të pandehurve: “Veprimet tuaja ishin monstruoze. Krimet tuaja shkatërruan jetët e viktimave”.

Në seancën e së martës, 12 viktima folën para gjykatës. Mes tyre ishte edhe një grua që nuk kishte dëshmuar në gjyq. Ato përshkruan pasojat psikologjike të abuzimeve dhe kërkuan që turpi i mbajtur prej vitesh t’u rëndonte autorëve. Shumë prej tyre kërkuan burgim të përjetshëm për secilin vëlla.

Maya Miller tha se përdhunimi nga Tal Alexander në vitin 2014 ia shkatërroi ndjenjën e sigurisë.

“Brenda vetes mbaj një funeral të heshtur për personin që mund të isha bërë nëse kjo nuk do të më kishte ndodhur kurrë”, tha ajo në gjykatë.

Një tjetër grua, e identifikuar si Isa Brooks, deklaroi se përdhunimi nga Tal dhe Alon Alexander, kur ishte 16 vjeçe, i hoqi besimin te vetja.

“Nuk e kisha idenë se në çfarë rreziku ndodhesha, derisa ishte tepër vonë”, u shpreh Brooks.

Një tjetër viktimë tregoi se, kur po mendonte ta denonconte përdhunimin, Tal Alexander e kishte kërcënuar se e dinte vendin e punës së motrës së saj.

Prokurorja Elizabeth Espinosa kërkoi dënimet më të rënda, duke thënë se provat zbuluan një histori shkatërruese abuzimesh të kryera ndër vite.

“Për vite me radhë, ata përsosën mënyrat për të joshur gratë me premtimin e luksit”, tha Espinosa. Ajo shtoi se vëllezërit nuk shfaqën shqetësim për vuajtjet që u shkaktuan grave.

Gjatë dëshmive, vëllezërit treguan pak emocione: herë qëndronin me sytë përpara, herë bisedonin me avokatët. Mbrojtja shpjegoi se u kishte këshilluar të mos i shikonin viktimat, me qëllim që veprimet e tyre të mos interpretoheshin gabim.

Avokatët kërkuan dënim 15-vjeçar, duke argumentuar se klientët e tyre ishin bërë baballarë të përkushtuar dhe se burgosja do të dëmtonte familjet e tyre. Megjithatë, të tre vazhduan të shpallnin pafajësinë edhe kur iu drejtuan gjykatës.

Tal Alexander pranoi se kishte ndjekur një mentalitet “puno shumë, argëtohu shumë” dhe tha se tani e kuptonte që sjellja e tij kishte “lënduar ndjenjat e njerëzve”.

Gjyqtarja Caproni nuk u bind nga këto fjalë dhe i qortoi vëllezërit për mospranimin e krimeve.

“Si mund të rehabilitohet dikush që nuk i ka pranuar kurrë gabimet që ka bërë?”, pyeti ajo.

Vendimi parashikon 30 vjet burg për secilin për disa vepra penale dhe 20 vjet të tjera për vepra shtesë. Dënimet do të vuajnë njëkohësisht, ndaj koha efektive e burgimit për secilin është 30 vjet.

Si zhvillohej skema e abuzimit?

Në gjyqin pesëjavor, 11 gra dëshmuan se vëllezërit u ofronin dhurata dhe udhëtime në vende luksoze, përfshirë Aspen dhe Bahamas.

Sipas dëshmive dhe pretendimeve të prokurorisë, gjatë udhëtimeve grave u jepeshin droga dhe më pas ato sulmoheshin seksualisht. Disa prej tyre thanë se ishin të mitura kur ndodhën abuzimet.

Prokurorët deklaruan se sjellja abuzive kishte filluar që në shkollën e mesme, ndërsa veprat penale të trajtuara në këtë proces datonin prej vitit 2008.

Sipas akuzës, vëllezërit hidhnin substanca në pijet e grave, i mbanin fizikisht të kufizuara gjatë përdhunimeve dhe shpërfillnin britmat e kërkesat e tyre të qarta për të ndaluar.

Mbrojtja, nga ana tjetër, pretendoi se marrëdhëniet seksuale ishin me pëlqim dhe se klientët e saj ishin burra me shumë partnere, por jo abuzues.

Nga pasuritë luksoze te qelia

Tal dhe Oren Alexander fituan emër në tregun e pronave luksoze në Nju Jork dhe Majami. Ata punuan për kompaninë e madhe amerikane Douglas Elliman, ku klientë të tyre ishin edhe emra të njohur, si Lindsay Lohan, Kim Kardashian dhe Kanye West.

Në vitin 2022, dy vëllezërit hapën kompaninë e tyre në Nju Jork, Official. Alon, ndërkohë, punonte në Kent Security, kompaninë private të sigurisë së familjes.

Tani të tre do të vuajnë nga 30 vjet burg. Gjatë gjyqit, viktimat përshkruan përmasat e abuzimeve dhe dëmet e rënda që ato sollën në jetën e tyre.


Shtuar më 28.10.2026 18:06