Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në aktivitetin “Race for the Cure Kosova”, ku vuri në pah rëndësinë e kontrolleve periodike dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Në një reagim, Haxhiu u bëri thirrje grave që të mos vonojnë kontrollet shëndetësore. Ajo theksoi se mesazhi i aktivitetit duhet të mbërrijë edhe te ato që nuk patën mundësi të merrnin pjesë, transmeton Klankosova.tv.
Të lidhura
None found
Sipas saj, kujdesi për të tjerët, frika nga rezultatet dhe vështirësitë në marrjen e shërbimeve shëndetësore janë disa nga arsyet që mund t’i shtyjnë gratë të mos kontrollohen.
“Kur flasim për kancerin e gjirit, koha merr një peshë tjetër dhe ne kemi përgjegjësi që gratë të mos e humbin atë duke pritur apo duke u përballur me pengesa që mund dhe duhet t’ua lehtësojmë”, shkroi Haxhiu.
Ajo i nxiti gratë që të kryejnë kontrollet në kohë dhe t’ua përcjellin këtë thirrje edhe grave të tjera.
“Rëndësi ka që asnjë grua të mos mbërrijë vonë”, tha Haxhiu.







