Konsumi i lartë i mishit të kuq mund të rrisë rrezikun për kancer pankreatik

Një analizë e re shkencore sugjeron se njerëzit që hanë rregullisht sasi të mëdha mishi të kuq mund të përballen me një rrezik më të lartë për zhvillimin e kancerit të pankreasit.

Studimi, i publikuar në revistën Frontiers in Nutrition, shqyrtoi të dhënat e 16 kërkimeve ku morën pjesë afro dy milionë persona. Studiuesit u përqendruan te mundësia e një lidhjeje mes konsumit të mishit të kuq ose të përpunuar dhe shfaqjes së mëvonshme të kancerit të pankreasit.

Të lidhura

None found

Sipas rezultateve, pjesëmarrësit që konsumonin më shumë mish të kuq kishin një rrezik relativ 16% më të lartë për t’u prekur nga kjo sëmundje, në krahasim me ata që e konsumonin në sasi më të vogla.

Analiza tregoi gjithashtu një prirje lineare: sa më i lartë të ishte konsumi i mishit të kuq, aq më shumë rritej edhe rreziku. Për çdo 100 gramë shtesë të konsumuar në ditë, rreziku relativ për kancerin e pankreasit rritej me 10 për qind.

Megjithatë, kërkuesit nuk përcaktuan një nivel të veçantë konsumi pas të cilit rreziku do të pësonte një rritje të menjëhershme.

Për mishin e përpunuar, ku përfshihen sallamet, salsiçet dhe produkte të tjera të ngjashme, përfundimet ishin të ndryshme. Në 11 studime të shqyrtuara nuk u evidentua një lidhje statistikisht domethënëse mes konsumit të këtyre produkteve dhe kancerit të pankreasit, pavarësisht sasisë së konsumuar.

Gjetjet e reja përputhen pjesërisht me rezultatet e hulumtimeve të mëparshme. Një meta-analizë e publikuar sivjet, e mbështetur në të dhëna nga mbi 1.8 milionë njerëz, kishte arritur në përfundimin se vegjetarianët kanë rreth 21 për qind rrezik më të ulët për t’u prekur nga kanceri i pankreasit, krahasuar me personat që konsumojnë mish.

Autorët, megjithatë, bëjnë thirrje për interpretim të kujdesshëm të këtyre rezultateve. Pjesa më e madhe e të dhënave është mbledhur në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa studimet e përfshira janë kryesisht vëzhguese dhe bazohen në pyetësorë për zakonet ushqimore.

Studime të tilla mund të evidentojnë një lidhje mes dy faktorëve, por nuk dëshmojnë se mishi i kuq është drejtpërdrejt shkaktar i kancerit të pankreasit. Për më tepër, kërkimet e analizuara paraqisnin dallime të konsiderueshme mes tyre.


Shtuar më 25.10.2026 10:44