Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur kritika ndaj mënyrës se si funksionon drejtësia në vend, duke iu referuar raporteve të Bashkimit Evropian, të cilat ndër vite kanë evidentuar probleme në këtë sektor. Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Kurti kërkoi që përgjegjësia të shtrihet edhe te hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit.
Gjatë qëndrimit në QKUK, ai njoftoi se Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë u kanë mbetur edhe 54 orë për të dorëzuar një raport mbi rastin. Sipas tij, dokumenti duhet të sqarojë plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe të evidentojë çdo dështim të mundshëm të institucioneve përgjegjëse.
Të lidhura
None found
Kurti tha se raportet e BE-së për Kosovën kanë përsëritur prej vitesh shqetësimet lidhur me sistemin e drejtësisë. Ai theksoi se drejtësia duhet të vihet në rrugën e duhur, pasi aktualisht, sipas tij, ajo nuk është e drejtë, por e shtrembëruar.
Kryeministri kërkoi hetim të punës së hetuesve, ngritje të përgjegjësisë ndaj prokurorëve dhe vlerësim të vendimeve të gjykatësve. Ai e konsideroi këtë çështje urgjente dhe tha se raporti i kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë duhet të përcaktojë se ku ka dështuar secila hallkë e zinxhirit institucional.
Po ashtu, ai kërkoi që të shqyrtohen edhe rastet e tjera të ngjashme në Kosovë, pasi, siç u shpreh, në pjesë të ndryshme të vendit ka gra që vazhdojnë të jetojnë nën kërcënim. Kurti nënvizoi se mbrojtja e tyre nga institucionet është e domosdoshme.
Arlinda Zekaj u vra me sëpatë nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës.
Para ngjarjes, viktima kishte kërkuar ndihmë te kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe te Policia e Kosovës, ndërsa kishte dërguar edhe një letër. I dyshuari për vrasjen vazhdon të jetë në arrati.
Varrimi i të ndjerës do të bëhet sot në Pejë, në ora 15:00.




