Arbërie Nagavci, udhëheqëse e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, njoftoi se Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt do të hetojë përgjegjësitë institucionale lidhur me mbrojtjen e saj.
Në një postim në Facebook, ajo bëri të ditur se puna e komisionit do të përfshijë shqyrtimin e denoncimeve dhe paralajmërimeve, vlerësimin e rrezikut dhe zbatimin e urdhrave mbrojtës. Në fokus do të jenë gjithashtu veprimet e Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Të lidhura
None found
Nagavci tha se komisioni do të ketë mandat gjashtëmujor dhe do të analizojë edhe funksionimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave e fëmijëve. Ajo shtoi se brenda 60 ditëve nga themelimi, Kuvendit do t’i dorëzohet një raport i përkohshëm me gjetjet fillestare dhe masat që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Sipas saj, hetimi duhet të sqarojë se kush kishte përgjegjësinë për të vepruar, çfarë hapash u ndërmorën dhe në cilat pika dështoi mbrojtja institucionale. Nagavci theksoi se asnjë rast neglizhence, vonese apo mosveprimi nuk duhet të mbetet pa u shqyrtuar.
Ajo bëri të ditur se, në bazë të rezultateve të hetimit, do të kërkohen masa konkrete, përcaktimi i përgjegjësive nga organet kompetente dhe përmirësimi i mekanizmave për mbrojtjen e viktimave të dhunës. Sipas Nagavcit, institucionet duhet të ndërhyjnë në kohë dhe heshtja, neglizhenca e papërgjegjësia nuk mund të tolerohen.






