Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka dhënë miratimin në parim për Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), i cili synon të përcaktojë bazën ligjore për funksionimin e kësaj agjencie.
Kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, deklaroi se qëllimi kryesor i nismës është krijimi i një kuadri ligjor të qartë për AME-në. Ai propozoi që projektligji të miratohet në lexim të parë, duke theksuar se në këtë fazë bëhet fjalë vetëm për miratim në parim.
Të lidhura
None found
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e mbështeti kalimin fillestar të projektligjit dhe dërgimin e tij në seancë. Megjithatë, ajo kërkoi që dokumenti të analizohet me kujdes të veçantë dhe që procesi të mos përshpejtohet, pasi ligji duhet të hartohet në mënyrën e duhur.
Sipas Musliut, rëndësia e projektligjit kërkon një shqyrtim të plotë përpara përfundimit të procedurave të miratimit.
Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, e vlerësoi këtë nismë si të rëndësishme për funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave. Ajo bëri të ditur se ligji përkatës nuk është ndryshuar që nga viti 2014.
Selimi nënvizoi se, bazuar në praktikën e komisionit, të gjithë anëtarët kanë mundësi të marrin pjesë në punën për hartimin e projektligjit. Ajo shprehu besimin se ndryshimet do të ndihmojnë në funksionimin më të mirë të agjencisë.




