Presidenti finlandez Alexander Stubb dhe kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre zhvilluan një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin, ku biseduan për situatën e fundit në luftën e Ukrainës dhe rrugët e mundshme për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas zyrës së presidentit të Finlandës, telefonata vijoi takimin e javës së kaluar në Oslo, ku Stubb dhe Støre pritën bisedimet mes përfaqësuesve të SHBA-së dhe Ukrainës. Të dy udhëheqësit po përpiqen të çojnë përpara diplomacinë për përfundimin e luftës së nisur nga Rusia kundër Ukrainës, raportoi Guardian.
Të lidhura
None found
Në deklaratën zyrtare thuhet se telefonata synonte t’i përcillte Putinit mesazhe të drejtpërdrejta për negociatat e ardhshme, në përpjekje për të ndihmuar që lufta të marrë fund.
Diskutimi u zhvillua gjithashtu në prag të takimeve të planifikuara në Abu Dhabi. Në fillim të nëntorit pritet të mbahen atje negociata trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.
Stubb e përshkroi bisedën si “të drejtpërdrejtë dhe përmbajtësore” dhe tha se për t’i dhënë fund luftës nevojitet dialog i drejtpërdrejtë me Moskën.
Støre, nga ana e tij, kërkoi uljen e tensioneve dhe vuri në dukje dëmin e madh njerëzor e material të konfliktit. “Lufta ka kosto të jashtëzakonshme njerëzore dhe materiale. Vuajtjet dhe shkatërrimet do të ndikojnë te brezat e ardhshëm. Gjatë telefonatës, theksuam rëndësinë e uljes së përshkallëzimit”, u shpreh ai.
Finlanda dhe Norvegjia kanë kufi me Rusinë dhe janë në mbështetje të Ukrainës. Për të dyja, ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Detit Baltik dhe në veriun e largët të Europës është interes i përbashkët.
Njoftimi zyrtar sqaron se Stubb dhe Støre folën si drejtues të vendeve të tyre, jo në emër të Europës në tërësi.







