Kuvendi mblidhet të enjten, në rend dite buxheti dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar për të enjten mbajtjen e seancës së rregullt plenare, e cila do të nisë në orën 10:00.

Lajmin e bëri të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas përfundimit të mbledhjes së sotme të Kryesisë. Ajo njoftoi se deputetët do të shqyrtojnë projektligjin për ndarjet buxhetore dhe projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Të lidhura

None found

Haxhiu vlerësoi se vënia në funksion e Byrosë përbën një hap të rëndësishëm në luftën kundër pasurisë së pajustifikueshme, ndërsa u kërkoi deputetëve ta përkrahin përmbylljen e këtij procesi.

“Pozita publike nuk mund të jetë as rrugë pasurimi, as mburojë për të fshehur pasurinë e pajustifikueshme. Zyrtari që nuk mund ta arsyetojë pasurinë me të ardhura të ligjshme, duhet të japë llogari”, shkroi ajo në Facebook.

Kryetarja e Kuvendit tha se pret mbështetjen e deputetëve për përfundimin e procedurave dhe për zbatimin konkret të ligjit.

Gjatë mbledhjes, Kryesia vendosi gjithashtu që të hapë një konkurs publik për hartimin e logos së Kuvendit.

Sipas Haxhiut, pas plotësimit të institucioneve, Kuvendi po funksionon sipas një ritmi të rregullt, ku Kryesia mblidhet çdo të hënë, ndërsa seancat plenare zhvillohen çdo të enjte.

Ajo theksoi se Qeveria ka rreth 200 projektligje në agjendë dhe se synimi është që ato të shqyrtohen me përgjegjësi dhe pa vonesa.

Në të njëjtën mbledhje është paraqitur edhe një nismë qytetare për ndryshimin e Kodit Penal. Haxhiu bëri të ditur se kjo nismë do të procedohet në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara.


Shtuar më 26.10.2026 15:56