Ish-deputeti socialist Pandeli Majko ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Serbi dhe largimin e Aleksandër Vuçiçit nga pushteti.
Në shkrimin e tij, Majko e paraqet Vuçiçin si një politikan që e kishte tejkaluar kohën e vet, ndërsa kritikon mënyrën se si ai qeverisi dhe ndikimin që ushtroi mbi institucionet shtetërore.
Të lidhura
None found
Sipas tij, gjatë periudhës së qeverisjes së Vuçiçit, pushteti politik u lidh ngushtë me interesat ekonomike. Institucionet, vijon Majko, u vunë në shërbim të mbrojtjes së një grupi politik, ekonomik dhe kriminal.
Majko përfundon se historia do ta kujtojë Aleksandër Vuçiçin për dështimet dhe jo për sukseset, ndërsa pas humbjes së zgjedhjeve ai nuk ka më kontroll mbi zhvillimet politike.
Shkrimi i plotë:
IKJA E VUÇIÇ…
Aleksandër Vuçiç u largua nga pushteti. Ai nuk u rrëzua në mënyrën e një tirani, por u tërhoq si një figurë e vjetër politike, e cila kishte vazhduar të qëndronte përtej kohës së saj.
Ai nuk arriti t’i bëjë ballë fuqisë së re mediatike të rrjeteve sociale, një hapësirë e shpejtë dhe e zhurmshme.
Historia do ta kujtojë Aleksandër Vuçiçin jo për arritjet, por për dështimet; jo për atë që ndërtoi, por për atë që shkatërroi.
Vuçiçi kishte sharm, ishte një politikan jo-konvencional dhe nuk trembej nga eksperimentet. Megjithatë, pakujdesia dhe prirja vetëshkatërruese ishin pjesë e figurës së tij.
Ironikisht, të njëjtat cilësi që e ndihmuan të bëhej i suksesshëm, së bashku me përpjekjen për ta bërë veten të pranueshëm, e çuan atë drejt krizës.
Aleksandër Vuçiç nuk qe në gjendje t’i rezistonte joshjes që sillte pushteti.
Për të, morali ishte një luks që sistemi politik serb nuk mund ta përballonte.
Vuçiçi u bë simbol i një sistemi ku pushteti politik dhe interesat ekonomike ushqenin njëri-tjetrin. Pasojë e kësaj ishte çmontimi i shtetit administrativ.
Ai e shndërroi Serbinë në një shtet ku ligjet, administrata dhe strukturat e sigurisë u përdorën për të forcuar interesat e një grupi sundues, të përbërë nga politika, biznesi dhe krimi i organizuar.
Gjatë qeverisjes së Aleksandër Vuçiçit, kontrolli i institucioneve serbe nuk ishte qëllim më vete.
Ky kontroll përdorej për të siguruar pasuri, për të mbrojtur aleatët dhe për të dobësuar çdo mekanizëm që mund të pengonte vijimin e pushtetit.
“Doktrina” Vuçiç shënonte një ndryshim revolucionar krahasuar me mafian tradicionale, për mënyrën e ushtrimit të kontrollit. Ai e zhvendosi korrupsionin nga një shkelje e veçuar e ligjit në një sistem të organizuar, ku shteti shndërrohej në “asistent”.
Në këtë logjikë, bashkëjetesa me shkeljen e ligjit nuk konsiderohej tradhti, por domosdoshmëri.
Aleksandër Vuçiç do të kujtohet jo për ndonjë madhështi morale, por për paprekshmërinë e tij.
Aleksandër Vuçiç i humbi dje zgjedhjet. Që prej dje, ai nuk i kontrollon më ngjarjet. Tani janë ngjarjet ato që do ta kontrollojnë atë.



