IKD paraqet në Kuvend nismën qytetare për ndryshimin e Kodit Penal, të përkrahur nga 12 mijë e 120 qytetarë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar sot në Kuvendin e Kosovës Nismën Legjislative Qytetare, e cila synon plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Dokumentet u paraqitën nga drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, në cilësinë e përfaqësuesit të Nismës Legjislative, si dhe nga Naim Jakaj nga IKD-ja. Dorëzimi u bë gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Të lidhura

None found

Sipas IKD-së, nisma ka marrë mbështetjen e 12,120 qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky numër është më i lartë se pragu minimal prej 10,000 nënshkrimesh, i nevojshëm për ushtrimin e të drejtës qytetare për nismë legjislative.

Nisma përfshin dy propozime që lidhen me ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal.

Propozimi i parë parashikon përcaktimin e përgjegjësisë penale për përdorimin e parasë dhe burimeve publike me synim përfitimin elektoral. Kjo do të zbatohej kur këto burime përdoren për t’i siguruar një subjekti politik përfitim elektoral, jashtë skemave, programeve ose detyrimeve të rregullta dhe të miratuara paraprakisht.

Propozimi i dytë kërkon që të përcaktohet në mënyrë të qartë përgjegjësia penale për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve përfundimtare dhe detyruese, si dhe të masave të përkohshme të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nga personat përgjegjës për zbatimin e tyre.

Mbledhja e nënshkrimeve nisi më 23 korrik 2026 dhe përfundoi më 23 tetor 2026. Në këtë periudhë, IKD organizoi aktivitete informuese dhe mblodhi nënshkrime në komuna të ndryshme të Kosovës, ndërsa zhvilloi edhe diskutime me qytetarë, studentë dhe përfaqësues institucionalë.

Krahas Nismës, IKD i dorëzoi Kuvendit edhe Projektligjin, Memorandumin Shpjegues, listat origjinale të nënshkrimeve, dokumentacionin elektronik përkatës dhe njoftimin për burimet e financimit të Nismës.

Instituti pret që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta procedojë dhe ta shqyrtojë Nismën Legjislative Qytetare në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Nismat Legjislative.

IKD u ka shprehur mirënjohje të gjithë qytetarëve që e mbështetën nismën dhe kontribuuan në këtë proces të drejtpërdrejtë për ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të propozuar ligje.


Shtuar më 26.10.2026 15:56

Tags: ,