Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka reaguar përmes një videoje në kohën kur në Kosovë është miratuar Ligji për Specialen, duke folur për proceset gjyqësore në Hagë dhe pretendimet për ndikime të jashtme në punën e gjykatës.
Të lidhura
None found
Sipas saj, institucioni është përballur me dezinformata mbi pavarësinë dhe veprimtarinë e tij. Trendafilova ka theksuar se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur, ndërsa gjyqtarët e saj janë individë me integritet, të ardhur nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuuese.
Trendafilova ka shpjeguar se mandati i Dhomave të Specializuara buron nga një shkëmbim letrash, Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ajo ka thënë se gjykata synon të zhvillojë procedura penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase, duke garantuar njëkohësisht mbrojtje të fortë për dëshmitarët dhe viktimat.
Ajo ka shtuar se, pavarësisht dezinformatave që vazhdojnë të qarkullojnë, të akuzuarve u garantohen të drejtat për një gjykim të drejtë, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht. Sipas saj, gjyqtarët e emëruar në Dhomat e Specializuara vijnë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuuese dhe duhet të kenë karakter të lartë moral, paanshmëri dhe integritet, si dhe kualifikimet që kërkohen në vendet e tyre për emërim në postet më të larta gjyqësore.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara ka deklaruar se gjyqtarët i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, në shërbim të drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Ajo ka theksuar se ata zbatojnë vazhdimisht konventat ndërkombëtare të përfshira në Kushtetutën e Kosovës, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të saj, ndërsa procedurat zhvillohen në mënyrë që këto të drejta të mbrohen në çdo fazë të procesit.
Trendafilova ka bërë të ditur se vendimet gjyqësore mund të shqyrtohen përmes procedurave të ankimimit, përfshirë panelet e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Panelin e Gjykatës Supreme. Të pandehurit kanë të drejtë t’i drejtohen edhe Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në rast se vlerësojnë se u janë cenuar të drejtat. Ajo ka nënvizuar se këto mjete juridike janë përdorur nga të pandehurit dhe se në një numër aktgjykimesh ata kanë dalë të suksesshëm.
Sipas saj, kundërshtimi i vendimeve gjyqësore është i ligjshëm në një shoqëri demokratike. Megjithatë, sundimi i ligjit kërkon që askush të mos u përcaktojë gjyqtarëve mënyrën se si duhet ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin.
“Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikime apo ndërhyrje politike. Dhomat e Specializuara mbeten të palëkundura në përkushtimin e tyre për të respektuar standardet më të larta ndërkombëtare, ndërsa vazhdojnë punën e besuar atyre në mënyrë të pavarur nga çdo presion i jashtëm, me pritshmërinë që të gjithë aktorët e përfshirë t’i përmbushin detyrimet e tyre përkatëse për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit”, ka thënë ajo.






