Colo-Colo, përtej futbollit: rrëfimi i kampionit të përjetshëm të Kilit

Colo-Colo nuk është vetëm një skuadër futbolli për kilianët. Emri i klubit është i lidhur ngushtë me historinë, identitetin kombëtar, klasën punëtore dhe një pasion që trashëgohet brez pas brezi.

Të lidhura

None found

I krijuar në vitin 1925 në Santiago, klubi është shndërruar në skuadrën më të mbështetur të Kilit dhe në një prej institucioneve më të rëndësishme të futbollit të Amerikës së Jugut.

Samuel Perez, drejtori komercial dhe i marketingut i klubit, thotë se rreth 42 për qind e popullsisë kiliane e konsideron veten tifoze të Colo-Colos. Mbështetësit e tij gjenden në çdo rajon, pa dallim moshe apo statusi shoqëror. Në vend janë përhapur edhe shprehje të tilla si “Colo-Colo është Kili” apo “Kur fiton Colo-Colo, të nesërmen buka është më krokante dhe çaji më i ëmbël”.

Me 34 tituj kampionë të Kilit, më shumë se çdo klub tjetër në vend, dhe 14 Kupa të Kilit, Colo-Colo mban një rekord të jashtëzakonshëm. Ai është gjithashtu klubi i vetëm kilian që ka fituar Copa Libertadores dhe i vetmi që ka marrë pjesë në çdo sezon të kampionatit elitar, pa u rrëzuar asnjëherë në një kategori më të ulët. Për këtë arsye, njihet si “El Eterno Campeón”, ose “kampioni i përjetshëm”.

Historia e klubit nisi në vitin 1925, kur David Arellano dhe dhjetë futbollistë të tjerë kilianë u larguan nga Deportes Magallanes për të themeluar një ekip të ri. Emri Colo-Colo u zgjodh për nder të një prijësi legjendar indigjen të popullit Mapuche, i cili kujtohej për guximin, urtësinë dhe vendosmërinë e tij.

Arellano synonte që pikërisht këto vlera të mishëroheshin te skuadra e re. Por ai nuk jetoi aq gjatë sa ta shihte klubin të shndërrohej në një prej fuqive të futbollit kilian. Gjatë një turneu në Evropë, në vitin 1927, ai u godit rëndë në bark në një ndeshje kundër Real Valladolidit dhe më pas humbi jetën nga peritoniti.

Vdekja e themeluesit dhe kapitenit shkaktoi tronditje në Kili dhe në gjithë Amerikën e Jugut. Për ta përkujtuar dhe për të nderuar kontributin e tij, klubi vendosi një shirit të zi horizontal mbi stemë. Ky element vazhdon të jetë pjesë e simbolikës së Colo-Colos.

Klubi nuk u ndal përballë kësaj humbjeje. Në vitin 1933, ai luajti rol në krijimin e ligës profesioniste kiliane, ndërsa katër vjet më pas fitoi kampionatin e parë kombëtar pa pësuar asnjë disfatë. Aty nisi një periudhë e gjatë suksesi dhe dominimi.

Një tjetër kapitull i rëndësishëm i historisë së klubit lidhet me stemën. Në vitin 1950, në të u vendos portreti i prijësit indigjen Colocolo. Flokët e zinj dhe shiriti i bardhë në kokë u kombinuan me ngjyrat e klubit, të cilat lidhen edhe me flamurin e Kilit. Nga kjo figurë u forcua edhe nofka “El Cacique”, që nënkupton prijësin.

Gjatë viteve 1970 dhe 1980, emblema mori një domethënie përtej asaj sportive. Në periudhën e diktaturës ushtarake të Augusto Pinochetit, populli Mapuche u përball me shtypje politike dhe me rrezikun e dëmtimit të kulturës së tij.

Në të njëjtën kohë, Colo-Colo fitoi dhjetë trofe dhe vazhdoi të mbante në fanellë figurën e luftëtarit indigjen. Për një pjesë të madhe të shoqërisë, klubi u kthye në shenjë rezistence dhe krenarie kulturore.

Pas triumfit në Copa Libertadores, në vitin 1992 stemës iu shtua edhe një yll. Që prej asaj kohe, ajo është konsideruar një prej simboleve më të identifikueshme të futbollit të Amerikës së Jugut.

Gjatë ekzistencës së tij, Colo-Colo ka zhvilluar ndeshje në disa stadiume, përfshirë stadiumin kombëtar të Kilit. Ideja për ndërtimin e një impianti të përhershëm nisi të merrte formë në vitet 1950, kur drejtuesit synonin të krijonin një stadium të madh përpara Kupës së Botës 1962, turne që u zhvillua në Kili.

Një tërmet i fuqishëm në vitin 1960 ndryshoi planet e qeverisë dhe stadiumi, ende i papërfunduar, nuk u përfshi në projektet e Botërorit. Punimet vazhduan për vite me radhë, të penguara edhe nga vështirësitë financiare, derisa impianti përfundoi në vitin 1989. Ai u emërtua Estadio Monumental David Arellano, në kujtim të themeluesit të klubit.

Sot, Monumental ka një kapacitet prej rreth 47 mijë spektatorësh. Tribunat e pjerrëta dhe mënyra e vendosjes së tyre bëjnë që zëri i tifozëve të përhapet në të gjithë stadiumin. Në horizont duken majat e Andeve, duke krijuar një panoramë të veçantë, veçanërisht në orët e perëndimit.

Për mbështetësit, Monumental është shumë më tepër se një fushë futbolli. Ai është vendi ku ruhen kujtime familjare, përjetohet krenaria dhe shprehet përkatësia ndaj një klubi që për shumë njerëz është pjesë e identitetit personal.

Një rol të rëndësishëm në këtë identitet ka edhe grupimi i organizuar “Garra Blanca”, i krijuar në Santiago në vitin 1985. I ndikuar pjesërisht nga traditat e tifozëve britanikë dhe evropianë, grupi u bë i njohur për koreografitë, këngët dhe banderolat gjigante që mbushin tribunat.

Në kohën e diktaturës së Pinochetit, “Garra Blanca” u dha të rinjve të margjinalizuar një hapësirë ku mund të shfaqnin identitetin dhe pakënaqësinë e tyre. Besnikëria e këtij grupimi ndaj klubit u pa edhe në vitin 2002, kur Colo-Colo u përball me falimentimin. Lëvizja “Colotón”, e frymëzuar nga fushatat për mbledhjen e fondeve, kontribuoi në mbijetesën e klubit para ristrukturimit.

Megjithatë, e shkuara e grupit përfshin edhe episode problematike. “Garra Blanca” është lidhur me përleshje në stadiume, incidente me policinë dhe konflikte me tifozë kundërshtarë, veçanërisht me “Los de Abajo”, grupimin e Universidad de Chile.

Në vitin 2025, dy tifozë adoleshentë humbën jetën në një rrëmujë jashtë stadiumit përpara ndeshjes së Copa Libertadores kundër Fortaleza. Përplasjet dhe mangësitë në siguri treguan se pasioni i madh për futbollin mund të sjellë edhe pasoja tragjike.

Pavarësisht polemikave, tifozët e organizuar vazhdojnë të kenë ndikim në jetën shoqërore të klubit. Ata kanë zhvilluar turne futbolli, kanë shpërndarë ushqime për familjet në nevojë dhe kanë protestuar ndaj drejtimit komercial, duke kërkuar që anëtarët të kenë më shumë peshë në vendimmarrje.

Arritja e parë e madhe ndërkombëtare u afrua në vitin 1973, kur Colo-Colo u bë skuadra e parë kiliane që luajti në finalen e Copa Libertadores. Trofeu, megjithatë, përfundoi te Independiente e Argjentinës pas një dueli të vendosur në kohën shtesë.

Ëndrra u realizua 18 vjet më vonë. Në vitin 1991, pas barazimit 0-0 në takimin e parë me Olimpian e Paraguait, Colo-Colo fitoi 3-0 në ndeshjen e kthimit dhe ngriti trofeun më të rëndësishëm të futbollit kontinental për klube në Amerikën e Jugut.

Luis Perez shënoi dy herë, ndërsa golin tjetër e realizoi Leonel Herrera. Në stol ishte trajneri kroat Mirko Jozic, i cili udhëhoqi një skuadër që hyri në histori dhe tregoi se një klub kilian mund të garonte denjësisht me ekipet më të mëdha të kontinentit.

Një vit më pas, Colo-Colo fitoi edhe Recopa Sudamericana dhe Copa Interamericana. Kështu, fillimi i viteve 1990 u shndërrua në periudhën më të suksesshme ndërkombëtare të klubit.

Një tjetër cikël i artë u regjistrua nga viti 2006 deri në vitin 2008. Nën drejtimin e trajnerit argjentinas Claudio Borghi, Colo-Colo fitoi katër tituj radhazi të kampionatit. Në atë skuadër u zhvilluan edhe disa lojtarë që më vonë do të bëheshin pjesë e gjeneratës së artë të Kilit, mes tyre Arturo Vidal, Claudio Bravo dhe Alexis Sanchez.

Carlos Caszely është një prej emrave më të mëdhenj në historinë e Colo-Colos. Me 208 gola në 374 ndeshje zyrtare, ai është golashënuesi më i mirë i klubit. Caszely e udhëhoqi skuadrën në finalen e Copa Libertadores të vitit 1973 dhe fitoi tetë trofe madhorë gjatë dy periudhave të tij me ekipin.

Rëndësia e tij nuk lidhet vetëm me paraqitjet në fushë. Caszely ishte kritik i hapur i diktaturës së Pinochetit dhe, para Kupës së Botës 1974, refuzoi t’ia shtrëngonte dorën diktatorit. Për tifozët, ai u bë simboli i futbollistit që nuk kishte frikë të mbronte bindjet e veta.

Francisco Valdés ishte një tjetër figurë e shquar. Mesfushori ofensiv realizoi 180 gola për Colo-Colon dhe u dallua për teknikën dhe aftësinë në goditjet standarde. Ai krijoi një dyshe të veçantë me Caszelyn dhe mbeti një prej futbollistëve kryesorë të epokës së tij.

Edhe Marcelo Barticciotto zë një vend të rëndësishëm në historinë e klubit. Ai shënoi gola vendimtarë gjatë triumfit në Copa Libertadores të vitit 1991 dhe ka 86 paraqitje në kompeticionet kontinentale me Colo-Colon, një rekord i klubit. Në vitin 1995, ndërsa luante për Universidad Catolica, ai shënoi kundër ish-ekipit të tij, por nuk e festoi golin për shkak të lidhjes së fortë emocionale me Colo-Colon.

Arturo Vidal është ndër futbollistët më të njohur të formuar nga ky klub. Ai debutoi me ekipin e parë në vitin 2005, në moshën 18-vjeçare, dhe ndihmoi skuadrën të fitonte titujt e kampionatit në vitet 2006 dhe 2007.

Performancat e tij tërhoqën vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane. Në vitin 2007, Vidal kaloi te Bayer Leverkusen, ndërsa më pas veshi fanellat e Juventusit, Bayern Munichut, Barcelonës dhe Interit. Me këto skuadra u bë një prej mesfushorëve më të suksesshëm të brezit të tij.

Megjithëse karriera e çoi larg Kilit, lidhja e Vidalit me klubin ku u rrit nuk u ndërpre. Në vitin 2024, ai u rikthye te Colo-Colo si lojtar i lirë. Prezantimi i tij ishte spektakolar: Vidal mbërriti me helikopter në stadium, i veshur me mantel e kurorë dhe me një shpatë në dorë, përpara se të përshëndeste rreth 35 mijë tifozë.

“Gjithmonë e kam vendosur Colo-Colon të parin, kudo që kam qenë. Tani të gjithë do ta ndjekin Colo-Colon”, deklaroi ai pas rikthimit.

Në sezonin e parë pas kthimit, Vidal e ndihmoi skuadrën të fitonte titullin e 34-t të kampionit të Kilit. Përveç kontributit në fushë, ai mori edhe rolin e një udhëheqësi për lojtarët e rinj, duke u përcjellë atyre përvojën dhe kuptimin e suksesit në nivelet më të larta.

Colo-Colo vazhdon të jetë një prej emrave më të fuqishëm të futbollit kilian. Trofetë, figurat e mëdha dhe rezultatet ndërkombëtare janë pjesë e historisë së tij, por forca kryesore e klubit mbetet marrëdhënia me njerëzit.

Brenda këtij identiteti bashkëjetojnë kujtimi i David Arellanos, trashëgimia e popullit Mapuche, krenaria e klasës punëtore dhe emocionet e miliona familjeve që e ndjekin klubin brez pas brezi.

Edhe në një futboll ku biznesi po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë, Colo-Colo vazhdon të ruajë një profil të veçantë, të mbështetur te historia dhe përkushtimi i tifozëve. Për shumë prej tyre, mbështetja e klubit nuk është thjesht zgjedhja e një skuadre, por pjesëmarrja në një përkatësi më të madhe.

Prania e Arturo Vidalit ka ndihmuar në rritjen e profilit ndërkombëtar të Colo-Colos dhe e ka bërë klubin më tërheqës për futbollistë të nivelit të lartë. Kjo u pa edhe gjatë verës, kur klubi fitoi garën për portierin Vozihna, një prej zbulimeve të Kupës së Botës 2026.

Gardiani veteran spikati me Kepin e Gjelbër, skuadër që befasoi duke arritur në fazën e eliminimit direkt.

Ish-trajneri Mirko Jozic e ka përshkruar këtë lidhje të veçantë me një fjali që vazhdon të citohet nga tifozët: “Për mua, Colo-Colo është diçka që nuk mund ta prek, as ta ndiej, as ta shoh, sepse jam larg. Por është më e madhe se dashuria”.