Senatori amerikan Dick Durbin deklaroi se nisma e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për kthimin e kampit Bondsteel në një bazë të përhershme ushtarake të Shteteve të Bashkuara duhet të merret seriozisht në konsideratë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka paraqitur një propozim financiar për realizimin e kësaj ideje, i cili, siç tha Durbin, nuk do të kërkonte një sakrificë të madhe financiare.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar sqarime të mëtejshme nga Pentagoni dhe Qeveria e Kosovës për përmbajtjen e propozimit, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Durbin tregoi se gjatë takimit me Kurtin më 12 tetor në Prishtinë, kryeministri i kishte ftuar senatorët në zyrën e tij. Atje, ai u kishte paraqitur një hartë të Kosovës për të shpjeguar rreziqet e sigurisë në rajonet përreth vendit.
“Ne duam që të gjithë të jenë të sigurt dhe në paqe, dhe mendoj se prania e KFOR-it këtu e ka kryer mirë këtë detyrë”, u shpreh senatori amerikan.
I pozicionuar pranë Ferizajt, Bondsteeli është instalimi më i madh ushtarak amerikan në Ballkan. Albin Kurti e ka përsëritur në disa raste kërkesën që kampi të marrë statusin e një baze të përhershme të SHBA-së, duke e konsideruar këtë një garanci për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në rajon.
Në fund të shtatorit, edhe Polonia i propozoi Uashingtonit stimuj financiarë për ngritjen e një baze të përhershme amerikane. Oferta përfshinte 15.000 dollarë në vit për çdo ushtar amerikan të vendosur atje, si dhe financimin e shpenzimeve të infrastrukturës.
Senatorët demokratë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin ndodhen në Kosovë, ku gjatë vizitës së tyre në Ballkanin Perëndimor janë takuar me presidenten Justina Shiroka Pula, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të Listës Serbe.
Para mbërritjes në Kosovë, ata vizituan Sarajevën dhe Tiranën, ku zhvilluan bisedime për sigurinë, stabilitetin dhe raportet e Shteteve të Bashkuara me vendet e rajonit.
Duke komentuar për presidenten e re të Kosovës, Durbin tha se ajo përballet me një sfidë të rëndësishme: bashkimin e vendit dhe avancimin e tij.
“Procesi që ajo përballoi para se të merrej vendimi përfundimtar kërkoi vendosmëri dhe guxim. Ajo ka një detyrë të madhe për ta bashkuar vendin dhe për ta çuar atë përpara. Por mendoj se forca që tregoi gjatë këtij procesi do t’i japë asaj më shumë besueshmëri në Kosovë dhe në mbarë botën”, deklaroi ai.
Marrëdhëniet Kosovë-SHBA
Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Në diskutim u përfshinë mungesa e ambasadorit amerikan në Prishtinë dhe pezullimi i Dialogut Strategjik mes dy vendeve.
Jeanne Shaheen tha se rifillimi i Dialogut Strategjik do të ishte i dobishëm, por nënvizoi se ndryshimet në administratën amerikane dhe në Departamentin e Shtetit përbëjnë pengesa në këtë drejtim.
Ajo bëri të ditur se senatorët u kanë bërë presion autoriteteve amerikane për emërimin e më shumë ambasadorëve dhe për garantimin e përfaqësimit diplomatik në terren.
Më 12 shtator 2025, SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën. Uashingtoni kishte shprehur atëherë shqetësim për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe për kritikat e saj ndaj Gjykatës Kushtetuese. Sipas SHBA-së, këto zhvillime kishin shtuar tensionet dhe kishin vështirësuar bashkëpunimin në çështjet me interes të përbashkët.
Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i deklaroi REL-it se rikthimi i dialogut do të jetë i mundur vetëm pas krijimit të kushteve të përshtatshme, përfshirë zbatimin e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve.
Gjatë vizitës së tyre në Kosovë, Shaheen dhe Durbin zhvilluan takim edhe me përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Takimi u mbajt në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Në një komunikatë, kjo parti tha se kryetari Zlatan Elek dhe drejtuesi i grupit parlamentar, Igor Simiq, u paraqitën senatorëve shqetësimet që lidhen me të drejtat dhe sigurinë e serbëve në Kosovë.
Mes çështjeve të ngritura prej tyre ishin moszbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, në veçanti krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe përfaqësimi i serbëve në institucionet e Kosovës.
Një ditë më herët, Albin Kurti u kishte kërkuar senatorëve, ndër të tjera, mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Në intervistën për RTK-në, të dy senatorët mbështetën vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë me Kosovën dhe rrugëtimin e saj drejt strukturave euroatlantike.
Kur u pyet për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO në të ardhmen, Shaheen tha se shpreson që vendi të ecë përpara drejt këtij objektivi.
Shaheen dhe Durbin e cilësuan raportin mes Kosovës dhe SHBA-së si një partneritet të fuqishëm, të cilin synojnë ta ruajnë dhe ta thellojnë më tej.
Dhomat e Specializuara
Sa i përket ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi i Kosovës për Dhomat e Specializuara në Hagë, senatorët nuk dhanë qëndrime të drejtpërdrejta për amendamentet.
Shaheen tha se vendimi mund të ankimohet dhe shprehu shpresën që procedurat të vijojnë në mënyrë paqësore, duke sjellë një rezultat të kuptueshëm për qytetarët e Kosovës.
Durbin tha se duhet treguar kujdes në deklaratat për çështjet gjyqësore. Sipas tij, zgjidhja duhet kërkuar nëpërmjet procedurave të parashikuara nga ligji dhe përmes një procesi paqësor.
Më 8 tetor, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara. Bashkimi Evropian reagoi me shqetësim ndaj këtij vendimi, duke e lidhur atë me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.







