Njëmbëdhjetë të pandehur janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës fillestare në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në çështjen ku dy kirurgë të Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri akuzohen për marrje ryshfeti. Nëntë personat e tjerë dyshohet se u kanë dhënë para kirurgëve në këmbim të shërbimeve mjekësore.
Të lidhura
None found
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë është ngritur ndaj kirurgëve Valdet Rexhepi dhe Ekrem Sefiju për veprën penale “Marrje ryshfeti”. Për “Dhënie ryshfeti” akuzohen Florim Veliu, Besim Grajqefci, Blerim Aliu, Fetah Xhafa, Kamer Hyseni, Labinot Kadriu, Selim Nishori, Berat Qafëleshi dhe Valdet Imeri.
Rexhepi ngarkohet me gjashtë episode të marrjes së ryshfetit, ndërsa Sefiju dyshohet për tri raste të kësaj vepre penale.
Gjatë leximit të aktakuzës, prokurorja Fetije Bajrami paraqiti disa raste ku, sipas Prokurorisë, Valdet Rexhepi ka kërkuar dhe ka marrë para nga pacientë ose familjarë të tyre për ofrimin e trajtimeve mjekësore.
Një prej rasteve lidhet me shumën prej 100 eurosh, e dhënë në dy këste nga 50 euro.
Sipas aktakuzës, më 04.03.2026, rreth orës 10:53, në Spitalin e Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri, Valdet Rexhepi, në cilësinë e mjekut kirurg dhe personit zyrtar, dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme parash për të vepruar në kuadër të detyrës së tij zyrtare dhe për të ofruar trajtim mjekësor. Në këtë rast, ai dyshohet se ka marrë 100 euro, në dy pagesa nga 50 euro, nga Florim Veliu për operimin e pacientes F.V. Nga të dhënat e siguruara rezulton se F.V. është operuar nga Rexhepi dhe se rasti është regjistruar në librin e protokollit. Prokuroria e cilëson këtë si vepër penale “Marrje ryshfeti”, sipas nenit 421, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po në aktakuzë thuhet se më 05.03.2026, rreth orës 10:08, në Spitalin e Vushtrrisë, Rexhepi ka pranuar edhe 100 euro të tjera, të dhëna në dy këste nga 50 euro, nga Berat Qafëleshi, përfaqësues i kompanisë farmaceutike “FexPharma”. Paratë dyshohet se janë dhënë me qëllim që mjeku t’ua përshkruante pacientëve barin “Totalmix”, në mënyrë që ai të përfshihej sa më shumë në raportet e pacientëve dhe të shpërndahej te qytetarët. Sipas aktakuzës, Rexhepi e ka quajtur këtë pagesë si detyrim për muajt janar dhe shkurt, ndërsa për muajt e tjerë ende kishte borxh.
Një tjetër rast, për të cilin Prokuroria thotë se ekziston dyshim i bazuar, ka ndodhur më 01.04.2026, në orën 09:10, në Spitalin e Vushtrrisë. Rexhepi, si mjek kirurg në repartin e kirurgjisë, dyshohet se ka kërkuar dhe marrë 300 euro nga Fetah Xhafa për caktimin e datës 08.04.2026 për operimin e vajzës së tij. Shuma përbëhej nga një pagesë prej 100 eurosh dhe katër pagesa nga 50 euro. Vajza, sipas aktakuzës, është operuar nga Rexhepi më 08.04.2026.
Edhe ndaj kirurgut Ekrem Sefiju janë ngritur dyshime se ka marrë para nga familjarë të pacientëve në këmbim të shërbimeve mjekësore.
Në rastin e pacientes H.N., pasi familjarët ishin njoftuar për përfundimin e operacionit, Selim Nishori, djali i saj, e kishte pyetur Sefijun: “Ku do ta kryej pagesën, këtu në zyrë apo atje, ose a mundem tek ti?”. Nga monitorimi i bisedave, sipas aktakuzës, kuptohet se familjari i pacientes i ka dhënë të pandehurit 100 euro. Sefiju më pas e ka falënderuar duke i thënë: “T’u rritë nera, se pagesa në privat për këto operacione është diku 1.100 euro, sa të duash”. Të dhënat e siguruara tregojnë se H.N. është operuar nga Sefiju më 09.03.2026.
Aktakuza përfshin edhe një rast tjetër të datës 23.04.2026, rreth orës 10:57, në Spitalin e Vushtrrisë. Sefiju, në cilësinë e mjekut zyrtar dhe kirurgut në repartin e kirurgjisë, dyshohet se ka kërkuar para nga Valdet Imeri, bashkëshorti i pacientes M.I. Gjatë bisedës për rrjedhën e operacionit, Imeri e kishte pyetur: “Pagesën a mundem me bo tash?”, ndërsa Sefiju ishte përgjigjur: “Okej, kur të duash, qashtu qysh të kam thënë”. Më pas, Imeri i kishte lënë 300 euro mbi tavolinë. Sipas aktakuzës, Sefiju ishte afruar nga ana e djathtë, i kishte marrë paratë dhe kishte dalë nga zyra së bashku me Imerin. Pacientja M.I. është operuar nga i pandehuri më 23.04.2026.
Pas përfundimit të seancës, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Izet Gërguri, i informoi të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre se mund të paraqesin kundërshtime ndaj provave të përfshira në aktakuzë dhe kërkesë për hudhjen e saj.
Këto parashtresa mund të dorëzohen brenda 30 ditësh nga shqyrtimi fillestar. Nëse ato paraqiten nga të akuzuarit përmes avokatëve të tyre, gjykata do të vendosë në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, u shpreh gjyqtari Gërguri.
Valdet Rexhepi është përballur edhe më herët me një procedurë për marrje ryshfeti. Në vitin 2017, ai ishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 400 euro gjobë. Më vonë, dënimi me burg ishte zëvendësuar me një gjobë prej 2.000 eurosh.
Edhe Ekrem Sefiju kishte qenë më parë subjekt i masave të drejtësisë. Ai ishte në arrest shtëpiak nga 10 janari deri më 9 shkurt 2023. Sipas zëdhënësit të Prokurorisë, Valon Preteni, Departamenti për Krime të Rënda kishte ngritur më 30 korrik 2024 aktakuzë ndaj Sefijut për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Të dy kirurgët u arrestuan më 13 maj 2026. Më 16 korrik 2026, ata u liruan për t’u mbrojtur në liri, pasi Prokuroria e Mitrovicës nuk kërkoi vazhdimin e arrestit shtëpiak ose vendosjen e një mase tjetër.




