Krim i rëndë brenda familjes në Kosovë, babai qëllon për vdekje djalin 29-vjeçar, policia në kërkim të autorit

Mbrëmjen e djeshme, një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Pogragjë të Gjilanit në Kosovë, ku një 29-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Policia ka nisur kërkimet për personin e dyshuar, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes.

Të lidhura

None found

Rasti është raportuar rreth orës 19:30, ndërsa vdekja e të riut është konstatuar në vendngjarje nga ekipi mjekësor.

Sipas informacioneve paraprake të publikuara nga mediat vendore, dyshohet se ngjarja ka ndodhur brenda familjes dhe se personi i dyshuar është babai i viktimës.

Megjithatë, rrethanat e plota dhe motivet e mundshme të ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur njësitë e Policisë së Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, të cilët po merren me hetimin e rastit.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është person i njohur për organet e rendit dhe se po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.


Shtuar më 12.10.2026 14:11