Republika e Kosovës dhe Banka Evropiane për Investime (EIB) kanë firmosur një marrëveshje financiare të dedikuar për sektorin e shëndetësisë, me një vlerë totale prej 41 milionë eurosh.
Të lidhura
None found
Ministri i Financave, Hekuran Murati, rrëfeu se investimi do të mundësojë blerjen e pajisjeve bashkëkohore mjekësore, si dhe përmirësimin e kushteve për pacientët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, por edhe në spitalet e rajoneve të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit.
Murati: Investimi prej 41 milionë eurosh sjell teknologji bashkëkohore dhe përmirëson kushtet për pacientët
“Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Financave, ka nënshkruar sot marrëveshjen e kredisë me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për projektin e pajisjeve mjekësore dhe përmirësimit të infrastrukturës. Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 41 milionë euro, dhe bashkëfinancimi është i ndarë barabartë nga dy bankat, pra EIB dhe CEB. Investimi do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do të ndikojë në infrastrukturën e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe atë të Gjilanit”, deklaroi Murati.
Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se ringjallja e infrastrukturës dhe pajisja me teknologji bashkëkohore mjekësore përbën një nga shtyllat kryesore të strategjisë sektoriale për shëndetësinë 2025-2030.
Vitia: Modernizimi i mjekësisë, prioritet i axhendës qeveritare
“Strategjia sektoriale e shëndetësisë 2025-2030 pasqyron prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sektorin e shëndetësisë. Në objektivat strategjikë të kësaj strategjie, kemi identifikuar riorganizimin e institucioneve shëndetësore dhe modernizimin e infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore si një nga prioritetet e sotme. Strategjia i jep rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës fizike të institucioneve shëndetësore sekondare dhe terciare, me furnizimin e tyre me pajisje mjekësore moderne për një periudhë afatgjatë”, sqaroi Vitia.
Zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, vuri në dukje se shëndetësia është ndër fushat më të qarta ku paratë publike përkthehen drejtpërdrejt në shërbime për qytetarët.
De Groot: Shëndetësia, provë e dukshme e vlerës së investimeve publike
“Kujdesi shëndetësor është një nga mënyrat më të dukshme përmes të cilave investimet publike ofrojnë shërbime për njerëzit. Çdo ditë, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, qytetarët duhet të jenë në gjendje të mbështeten te kujdesi thelbësor mjekësor për veten dhe familjet e tyre. Duke nënshkruar këtë operacion sot, ne po ndihmojmë për të siguruar që profesionistët shëndetësorë dhe pacientët në mbarë Kosovën të kenë qasje në pajisje dhe lehtësira moderne. Kjo do të thotë pajisje mjekësore të avancuara dhe përmirësim i infrastrukturës mbështetëse, duke rezultuar në diagnostikim më të mirë, trajtim më efektiv dhe kujdes të përmirësuar për pacientët”, theksoi de Groot.
Ndërkohë, Johannes Böhmer, zëvendësguvernator për Strategjinë e Zhvillimit Social në Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, u shpreh se shëndeti paraqet themelin e çdo gjëje tjetër në jetë.
Böhmer: Sistemi shëndetësor, shërbim bazë që priten qytetarët
“Mund të themi se pa shëndet, çdo gjë është asgjë. Dhe mendoj se popullatat në të gjitha vendet tona presin një sistem të fortë shëndetësor si një shërbim bazë që qeveritë duhet ta sigurojnë në mënyrë që të mbajnë popullatën e tyre funksionale. Pa shëndet, shumë gjëra të tjera bëhen dytësore dhe për këtë arsye, kjo është edhe më e rëndësishme”, përfundoi ai.






