Bratu pas humbjes në derbi: Na mungoi fati, ky është grupi që kam në dispozicion

Partizani pësoi një tjetër goditje në derbin e kryeqytetit, duke u mundur 1 – 3 nga Tirana. Disfata ka shtuar presionin mbi trajnerin Florin Bratu, pozicioni i të cilit mund të vihet në diskutim. Pas përfundimit të takimit, tekniku rumun foli për mediat.

Të lidhura

None found

“Që në fillim kemi marrë shumë kartonë të kuq dhe nuk e nisëm siç duhet sezonin. Fitorja ndaj Vllaznisë na dha shpresë, por më pas nuk arritëm të ruanim ekuilibrin. Duhet të japim më shumë.

Kur rezultati ishte 1 – 1, patëm tri mundësi shumë të mira për të shënuar. Nuk ishim me fat, sepse në fund rezultati shkoi kundër nesh.

Në atë moment bëmë një zgjedhje, por humbja e topit nuk erdhi aty. Problemi ishte te tranzicioni, pasi nuk po arrinim të ndalonim lojtarët e Tiranës. Gabimet tona u shfrytëzuan dhe pësuam gol.

Nuk po arrijmë të shfaqim në ndeshje atë që punojmë gjatë stërvitjeve. Shpresoj që situata të përmirësohet në të ardhmen.

Përse u zëvendësua Aliu? Ai kishte shqetësime fizike, ndërsa Human mendojmë se mund të luajë mes linjave. Ky ishte vendimi që mora në atë moment.

Ky është grupi që kemi, këta janë lojtarët në dispozicion dhe këto janë zgjedhjet e mia. Në këtë periudhë nuk mund të bëjmë më shumë. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të paraqitemi më mirë në mbrojtje. Do të diskutoj me lojtarët për mënyrën e organizimit taktik.

Për sa i përket dorëheqjes, duhet të kalojnë këto orë dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë. Jam i gatshëm të bisedoj me lojtarët dhe drejtuesit. Mund të mendoj për çdo mundësi, duke pasur parasysh pikët që kemi marrë dhe objektivat e klubit.

Është e vështirë të jap një përgjigje tani. E kuptoj rëndësinë e kësaj humbjeje. Do të presim dhe më pas do të merret një vendim.”


Shtuar më 11.10.2026 21:16