Shehaj ironizon videon e Ramës me luanin: Edhe Veliaj publikoi një të tillë para arrestimit, beteja me drejtësinë është e humbur

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka komentuar publikimin e kryeministrit Edi Rama, i cili shoqëroi një mesazh në rrjetet sociale me pamjen e një luani.

Shehaj e lidhi këtë veprim me një postim të ngjashëm të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim dhe kishte publikuar një luan përpara arrestimit nga SPAK.

Të lidhura

None found

Në një video-mesazh, kreu i Mundësia deklaroi se përpjekja e Ramës kundër Prokurorisë së Posaçme është e destinuar të dështojë, pasi kryeministri, sipas tij, e ka humbur përballjen me drejtësinë.

Shehaj tha se luani i publikuar nga Rama është një mesazh për SPAK-un, duke argumentuar se kryeministri ka zgjedhur një figurë më të madhe se ajo e përdorur më herët nga Veliaj.

“Rama ka publikuar një luan dhe bashkë me të ka përcjellë edhe një mesazh. Nuk dihet nëse ai i drejtohet Braçes apo SPAK-ut”, u shpreh Shehaj.

Ai shtoi se, përtej ironisë, Rama nuk është aq i dëshpëruar sa t’i dërgojë mesazhe Braçes përmes publikimeve të tilla.

“Luani është qartësisht një mesazh për SPAK-un, sepse të njëjtën gjë bëri edhe Veliaj përpara arrestimit. Ai publikoi në rrjetet sociale një fotografi të një luani”, tha Shehaj.

Sipas tij, Rama, duke qenë më i madh dhe më i rëndësishëm se Veliaj, ka zgjedhur të publikojë një video me një luan më të madh.

“Rama duhet ta kuptojë se betejën me drejtësinë e ka të humbur. Të mundësh SPAK-un do të thotë të vrasësh të ardhmen e Shqipërisë, dhe kjo nuk do të ndodhë”, deklaroi kreu i Partisë Mundësia.