Kultivimi i rrushit po u sjell gjithnjë e më pak të ardhura fermerëve. Ata thonë se shpenzimet për plehrat kimike, naftën dhe punëtorët janë rritur, ndërsa çmimi i prodhimit nuk ka ndryshuar, ndaj të ardhurat nuk mbulojnë kostot.
Jashar Kumria, fermer nga Floqi i Cërrikut, këtë vit mblodhi rreth 42-43 kuintalë rrush. Megjithatë, ai shprehet se, pas gjithë punës dhe parave të shpenzuara, bilanci në fund të sezonit është negativ.
Të lidhura
None found
“Shpenzimet nisin që me inputet bujqësore. Plehrat kimike janë shtrenjtuar 10-fish. Rrushin e shet me 50 lekë, njësoj si para 20 vjetësh, ndërkohë që plehrat janë rritur 10-fish, mos të them 50-fish. Të ardhurat nuk të paguajnë as krahun e punës; punon pa marrë para. Rropatemi gjithë ditën në diell, me mund e vështirësi, bashkë me gjithë familjen, por në fund mezi llogarisim bukën e muajit, sepse paratë nuk mjaftojnë”, thotë Jashar Kumria.
Sipas tij, shitja e rrushit nuk i mbulon shpenzimet e vreshtës. Për të përballuar kostot, familja duhet të përdorë edhe kursimet e veta.
“Unë vetë mblodha 42-43 kv rrush. Kur bën llogaritë në fund, del minus. Kemi nxjerrë para nga xhepi, ua marrim fëmijëve… Djali më thotë: ‘O babi, pse punon kot? Kujt i del llogaria, për çfarë punon?’ Është shumë e vështirë”, tregon ai.
Probleme këtë sezon sollën edhe kushtet atmosferike. Një fermer tjetër thotë se temperaturat e larta thanë një pjesë të rrushit dhe ulën sasinë e prodhuar.
“Ç’a ka patur, plevrat në qiell, 50, 70, ku di unë, shumë me tokët, njerëzit i kalon pa mill. Rrrushi pikën e parë nuk uji njëherë. E dyta, nga temperatura nxetësia e madhe, u dëmtu, më shumë u tha edhe nuk e morëm dot atë prodhim që merrnim më përpara”, shprehet fermeri.
Banorët shqetësohen gjithashtu për largimin e të rinjve nga fshati. Vështirësitë ekonomike po bëjnë që gjithnjë e më shumë njerëz të heqin dorë nga puna e tokës.
“Shumica po e lënë, Floqin po e lënë, po e braktisin. Ikën fëmijët… bile ky fshati që jam unë, më i riu jam unë”, thotë Jashar Kumria.
Shpenzimet e larta, çmimi i pandryshuar i rrushit dhe dëmet e shkaktuara nga temperaturat po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë vazhdimin e këtij aktiviteti. Fermerët thonë se puna në vreshta po humbet leverdinë.






