Aleanca për Shqiptarët ka deklaruar se mbështet investimet për restaurimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në Kalanë e Shkupit. Megjithatë, përmes një kumtese, subjekti politik kërkon që muzeumet e reja të mos ndjekin praktikat e 24 viteve të fundit, gjatë të cilave, sipas saj, gjuha shqipe është lënë shpesh pas dore dhe historia është interpretuar në mënyrë të njëanshme.
Të lidhura
None found
ASH kërkon që dygjuhësia të zbatohet plotësisht në emërtimet, tabelat informuese, përshkrimet e eksponateve, materialet promovuese dhe përmbajtjet digjitale. Po ashtu, ajo thekson nevojën për një pasqyrim shkencor të historisë dhe të fakteve arkeologjike, pa deformime apo përvetësime, si dhe me vëmendje të posaçme ndaj përdorimit të terminologjisë.
Sipas Aleancës për Shqiptarët, historianët dhe arkeologët shqiptarë duhet të kenë rol real në procesin vendimmarrës, duke nisur nga hartimi i konceptit muzeor e deri te kontrolli dhe verifikimi i përmbajtjeve.
Partia i ka bërë thirrje VLEN-it që të angazhohet menjëherë në këtë proces, duke nënvizuar se çdo pasaktësi duhet të parandalohet përpara përfundimit të projektit. Në reagim thuhet se Kalaja e Shkupit përfaqëson trashëgimi të përbashkët dhe duhet të prezantohet në këtë frymë, veçanërisht përpara Shkupit 2028, kur qyteti do të jetë Kryeqytet Evropian i Kulturës./Telegrafi/







