Avokati Ledio Braho foli në emisionin “Kjo Javë” në News24 për hetimet e SPAK ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, duke u ndalur veçanërisht te zhvillimet e pritshme në çështjen që lidhet me Belinda Ballukun.
Sipas Brahos, prokurorët e SPAK dhe oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë në dispozicion mjetet e nevojshme për zhvillimin e hetimeve. Megjithatë, ai nënvizoi se dokumentimi i korrupsionit dhe krimit zgjedhor mbetet një proces i ndërlikuar.
Të lidhura
None found
Avokati shpjegoi se krimi zgjedhor duhet të hetohet në kohën kur ndodh, ndërsa çështjet e korrupsionit kërkojnë angazhim më të gjatë dhe më shumë burime. Në këtë drejtim, ai e konsideroi shtimin e rreth 40 oficerëve të rinj në BKH si një mbështetje të rëndësishme për punën hetimore.
Braho përmendi edhe bashkëpunimin me partnerët e huaj si një prej burimeve kryesore të informacionit në hetimet për krimin e organizuar.
Duke renditur çështjet më të rëndësishme të SPAK, ai e cilësoi dosjen e Belinda Ballukut si një nga më të mëdhatë dhe me ndikimin më të madh. Sipas tij, pesha e kësaj dosjeje lidhet edhe me rolin politik të Ballukut, të cilën e konsideroi si numrin dy të pushtetit në Shqipëri.
Ai shtoi se Balluku vazhdon të ketë pushtet dhe se hetimi ndaj saj mbetet veçanërisht i rëndësishëm për shkak të efektit që mund të ketë. Braho përmendi gjithashtu dosjen e SHISH, duke e cilësuar si të paprecedentë faktin që një drejtues i këtij institucioni është marrë nën hetim.
“Prokurorët e SPAK, së bashku me oficerët e BKH-së, kanë të gjithë mekanizmat për të zhvilluar hetime. Korrupsioni është një vepër e vështirë për t’u hetuar, ashtu si edhe krimi zgjedhor, pasi ky i fundit duhet të hetohet në momentin kur kryhet. Për korrupsionin nevojitet më shumë punë. Aktualisht po rekrutohen rreth 40 oficerë të rinj të BKH-së dhe kjo përbën një ndihmë të madhe. Ndërkohë, në hetimet për krimin e organizuar, një burim kryesor kanë qenë partnerët e huaj. Por është e sigurt që, veçanërisht për klasën politike, rehatia është cenuar”, u shpreh ai.
Braho tha se pritej që SPAK të paraqiste një kërkesë të re, por deri tani kjo nuk ka ndodhur. Ai iu referua edhe deklaratës së mazhorancës se autorizimi do të jepet nëse paraqitet një akuzë për korrupsion, duke theksuar se mbetet për t’u parë nëse kjo do të ndodhë. Sipas tij, edhe mbajtja e një personi në gjendje të lirë mund të jetë pjesë e strategjisë së hetimit.
“Unë e shoh situatën përmes informacioneve të publikuara në media. Po thirren persona të tjerë që kanë dijeni për çështjen dhe duket se hetimet po ecin me një ritëm të kënaqshëm. Ky ritëm i shtuar mund të sjellë një rezultat të ri për zonjën Balluku ose për persona të tjerë”, deklaroi avokati.






