Turqia ka vendosur të ndalojë me ligj përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, pas publikimit të rregullores së re në Gazetën Qeveritare.
Të lidhura
None found
Dispozitat do të zbatohen nga 1 nëntori dhe përfshijnë verifikimin e detyrueshëm të moshës, masa kufizuese për të miturit dhe mekanizma për kontrollin prindëror.
Sipas rregullores, platformat sociale nuk do të mund t’u ofrojnë shërbime përdoruesve nën 15 vjeç.
Kontrolli i moshës do të bëhet gjatë hapjes së llogarisë, përmes portalit shtetëror dixhital e-Devlet. Platformave do t’u konfirmohet vetëm grupmosha e përdoruesit, ndërsa identiteti i tij nuk do të bëhet i ditur.
Për të miturit që kanë mbushur 15 vjeç do të aplikohet një kuadër i posaçëm mbrojtjeje.
Llogaritë e tyre do të vendosen automatikisht në statusin privat. Gjithashtu, do të ndalohen transmetimet e drejtpërdrejta dhe reklamat e personalizuara. Mesazhe do të mund të marrin vetëm nga llogaritë që ndjekin, ndërsa përdoruesit e tjerë nuk do të kenë qasje te listat e ndjekësve të tyre.
Prindërit do të kenë mundësi të menaxhojnë cilësimet e llogarive, të vendosin kufizime për kohën e përdorimit dhe të autorizojnë pagesat.
Rregullorja përcakton se verifikimi i llogarive ekzistuese duhet të përfundojë deri më 31 mars 2027. Llogaritë e regjistruara në emër të fëmijëve nën 15 vjeç do të mbyllen.




