Një 38-vjeçar është arrestuar dhe dërguar në paraburgim në Kosovë, nën dyshimin se vrau dy persona dhe plagosi rëndë një tjetër. Pas ngjarjes, e cila shkaktoi reagime të forta në vend të premten, autoritetet sekuestruan edhe armë gjatë kontrolleve në shtëpinë e tij.
Të lidhura
None found
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe Policisë së Kosovës, viktimat dyshohet se janë bashkëshortja 27-vjeçare e të dyshuarit dhe vëllai 31-vjeçar i saj. I plagosur mbeti djali 48-vjeçar i xhaxhait të bashkëshortes së të dyshuarit.
Motivi i ngjarjes ende nuk është bërë i ditur. Autoritetet kanë deklaruar se i dyshuari nuk ka precedent penal, ndërsa gjatë bastisjeve në pronat e tij janë gjetur armë të tjera.
Ngjarja u raportua të premten rreth orës 14:25, kur Policia e Kosovës mori njoftim për të shtëna me armë në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.
Me mbërritjen në vendngjarje, zyrtarët policorë gjetën brenda një automjeti trupin e pajetë të 31-vjeçarit E.B.
Gruaja 27-vjeçare, N.B., ishte transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, por mbërriti atje pa shenja jete për shkak të plagëve të shkaktuara nga të shtënat.
Ndërkohë, M.B., personi i tretë i përfshirë në incident, po merr trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), bëri të ditur Prokuroria në Gjilan të premten, pak para mesnatës.
Policia njoftoi se i dyshuari, V.R., iu dorëzua vetë autoriteteve.
Ai ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet po zhvillohen për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje.
Gjatë hetimeve në dy lokacione, policia sekuestroi katër fishekë, 21 gëzhoja dhe pesë predha. Brenda automjetit të të dyshuarit u gjet edhe një revole, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e vrasjes.
Sipas policisë, revolja kishte leje të skaduar.
Kontrollet në shtëpitë dhe pronat e V.R. çuan gjithashtu në gjetjen e dy armëve të gjata me leje të skaduar, një revoljeje pa leje, një arme pneumatike, 520 fishekëve të kalibrave të ndryshëm dhe 1600 diabollave për pushkë pneumatike.
Si prova materiale u morën edhe disa telefona celularë dhe pajisje DVR të kamerave, njoftoi Policia e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Gjilan sqaroi se revolja e dyshuar se është përdorur nga i pandehuri në vrasje ishte e tipit “Bereta” dhe kishte leje të skaduar.
Autoritetet thanë se V.R. nuk ka të kaluar kriminale dhe se ndaj tij nuk ishte raportuar më parë ndonjë rast i dhunës në familje.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, reagoi duke thënë se lajmin e kishte marrë “me dhimbje të thellë”. Ajo u shprehu “ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave dhe shërim të shpejtë për të plagosurin”.
“Asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së njeriut. Askush nuk ka të drejtë t’i ekspozojë gratë ndaj rrezikut, dhunës apo vuajtjes”, tha Shiroka Pula, sipas një komunikate të Presidencës së Kosovës.
Presidentja kërkoi nga organet e drejtësisë që ta hetojnë rastin “me përkushtim të plotë”, të sqarojnë çdo rrethanë dhe t’i vendosin përgjegjësit para drejtësisë.
Kjo ngjarje ndodhi më pak se një muaj pas arrestimit të një burri të dyshuar për vrasjen e motrës dhe plagosjen e nënës së tij në Prizren, në shtator.
Ndërsa gjatë gushtit u vranë dy gra, një 25-vjeçare shtatzënë dhe një 80-vjeçare. Për këto dy raste dyshohen bashkëshortët e viktimave, përkatësisht 26 dhe 81 vjeç.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se ishte “e tronditur nga lajmi për vrasjen e një gruaje dhe një burri, si dhe plagosjen e një personi tjetër”.
“Dy jetë të humbura dhunshëm dhe familje që sot po përballen me një dhimbje të madhe”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cilësoi të premten si “ditë të kobshme”.
“Edhe një grua u vra nga bashkëshorti i saj. Edhe një familje u godit nga një tragjedi e pariparueshme”, deklaroi ajo, sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë.
Gërvalla tha se parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e jetës së grave kërkojnë angazhim dhe përgjegjësi të pandërprerë, jo vetëm reagime pasi tragjeditë kanë ndodhur.
“Vrasja e grave është krim, aq i rëndë dhe i tmerrshëm sa asnjë shoqëri nuk mund ta trajtojë si të pashmangshëm atë që ka detyrim ta parandalojë”, u shpreh ajo.
Me këtë rast, numri i grave të vrara gjatë këtij viti arrin në gjashtë.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga viti 2010 deri në gusht të këtij viti, në Kosovë janë vrarë 64 gra.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë kritikuar në disa raste autoritetet, duke i akuzuar për dështim në mbrojtjen e grave që përballen me rrezikun e dhunës.





