Nëntë persona, përfshirë dy fëmijë dhe një grua shtatzënë, u vranë mbrëmjen e djeshme pasi një person hapi zjarr në një banesë në Pensilvani, SHBA. Autori i dyshuar u gjet më pas i vdekur dhe të dhënat e para tregojnë se mund të jetë vetëvrarë.
Ngjarja nisi pak para orës 5 pasdite të së premtes, kur policia mori një telefonatë për të shtëna në Rrugën Perry, në pjesën lindore të qytetit Erie. Sipas televizionit lokal Erie News Now, oficerët që shkuan në vend gjetën në rrugë, jashtë shtëpisë ku ndodhej personi i armatosur, dy gra të vdekura nga plagët e marra.
Të lidhura
None found
Dëshmitarët treguan se kishin parë një burrë të qëllonte jashtë banesës dhe më pas të hynte sërish brenda. Meqë kishte informacione për njerëz të tjerë në shtëpi, autoritetet rrethuan zonën dhe kërkuan përforcime.
I armatosur me pistoletë, personi që dyshohet se kreu sulmin qëndroi brenda ndërtesës dhe nuk pranoi të dorëzohej. Përplasja me policinë zgjati disa orë. Në operacion u përfshi edhe një ekip special SWAT, ndërsa oficerët i bënë vazhdimisht thirrje përmes altoparlantëve që të dilte. Mediat lokale raportuan se gjatë kësaj kohe u dëgjuan të shtëna të tjera nga brenda banesës.
Kur arritën të hynin në shtëpi, policët gjetën trupa të pajetë në pjesë të ndryshme të saj. Mes viktimave ishin dy fëmijët dhe, sipas raportimeve, një grua shtatzënë. Brenda u gjet i vdekur edhe autori i dyshuar.
Shefi i Policisë së Erie-t, Rick Laura, u emocionua ndërsa fliste me gazetarët për atë që kishin parë oficerët. Ai tha se, për të qenë i sinqertë me komunitetin, ajo ishte një nga skenat më të rënda dhe më prekëse me të cilat ishin përballur ndonjëherë oficerët dhe hetuesit e tij. Sipas tij, numri i jetëve të humbura është i madh dhe rrethanat nën hetim janë thellësisht tronditëse.
Laura nuk dha hollësi të tjera për skenën brenda banesës, duke thënë se donte të respektonte viktimat dhe familjet e tyre. Ai konfirmoi se autori i dyshuar kishte vdekur dhe se banorët e zonës nuk ishin më në rrezik. Shefi i policisë shprehu gjithashtu lutjet e tij për viktimat, familjarët dhe të gjithë të prekurit, duke thënë se fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar përmasat e humbjes së jetëve.
Identitetet e viktimave dhe të autorit të dyshuar nuk janë bërë ende publike. Motivi i sulmit mbetet i panjohur, ashtu si edhe lidhja e mundshme mes personit të armatosur dhe viktimave.






