Përfaqësues të Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) zhvilluan një takim me kongresistin amerikan Gregory Meeks, ku në fokus ishin zhvillimet në Kosovë, Shqipëri e Luginën e Preshevës, si dhe politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Ballkanit Perëndimor.
Të lidhura
None found
Gjatë bisedës, Meeks rikonfirmoi përkrahjen e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për thellimin e partneritetit strategjik mes Tiranës dhe Shteteve të Bashkuara, bëri të ditur AARC.
Për Kosovën, kongresisti amerikan nënvizoi nevojën për ruajtjen e lidhjeve të qëndrueshme me SHBA-në dhe mbështeti avancimin e saj drejt institucioneve euroatlantike. Ai kërkoi gjithashtu që Serbia të ndryshojë qëndrimin ndaj shqiptarëve dhe u shpreh në favor të garantimit për shqiptarët e Luginës së Preshevës të të njëjtave të drejta që u sigurohen serbëve në Kosovë.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte fuqizimi i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, ndërsa u diskutua edhe mundësia që një delegacion dypartiak i Kongresit të vizitojë Ballkanin Perëndimor.
Palët folën edhe për Dhomat e Specializuara në Hagë. Sipas AARC-së, Meeks vlerësoi se procedurat duhej të rishikoheshin dhe se duhej t’u kushtohej më tepër vëmendje mundësive për lirimin e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
AARC deklaroi se takimi ishte pjesë e përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin dypartiak në Uashington dhe lidhjet mes Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve të Ballkanit Perëndimor.







