Gazetarja Klodiana Lala deklaroi në emisionin “Zonë e Lirë” se hetimi për Roni Yeffet është në fazat e para, por mund të shtrihet deri në nivele shumë të larta të qeverisë shqiptare.
Sipas saj, janë kryer kontrolle në banesën e Ardi Veliut, ndërsa verifikime po zhvillohen edhe ndaj Roni Yeffet, Arjeta Pucës dhe disa zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme. Hetimi po ndiqet nga kreu i SPAK, Klodian Braho.
Të lidhura
None found
“Hetimi për Roni Yeffet sapo ka nisur. Ka kontrolle tek Ardi Veliu. Tek Roni Yeffet ka kontroll personal, kontrolle ka edhe tek Arjeta Puca dhe zyrtarë të Ministrisë së Brendshme. Është hetim që po ndiqet nga kreu i SPAK Klodian Braho”, u shpreh Lala.
Gazetarja theksoi se deri tani asnjë person nuk ka marrë statusin e të hetuarit. Ajo ngriti pikëpyetje mbi faktin që një kompani, e cila sipas saj është krijuar nga asgjëja, ka përfituar 40 mln euro nga buxheti i shtetit.
“Fakti që një kompani nga asgjëja merr 40 mln euro nga buxheti, atëherë do të thotë se ka diçka këtu. Kemi ndërmjetës, që sipas Ahmetajt, është Ermal Nufi, ministri i Mbrojtjes”, deklaroi Klodiana Lala.
Ndërkohë, Flogert Muça tha se çështja mund të marrë një drejtim edhe pa u shndërruar në hetim penal. Ai argumentoi se çdo shtet disponon kompani që merren me prodhimin e armëve dhe se rasti mund të lidhet me një transaksion të madh ndërkombëtar.
“Çështja mund të dalë edhe pa hetim penal. Çdo shtet ka kompani për prodhimin e armëve. Besoj se është transaksion i madh ndërkombëtar, ku janë përfshirë interesa tepër të mëdha, që tejkalojnë historinë e këtij hetimi”, tha Muça.






