Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka kritikuar miratimin e reformës së re territoriale nga mazhoranca, duke deklaruar se vendimi u kalua në Kuvend përmes forcës së kartonëve. Gjatë aktivitetit “Foltorja e Ripërtëritjes” në Fier, ai e përshkroi riorganizimin si një “ekzekutim” të 15 bashkive.
Sipas Berishës, qëndrimi i opozitës nuk lidhej me interesa partiake, por me mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve për të pasur vetëqeverisje në zonat dhe komunitetet ku banojnë.
Të lidhura
None found
Duke e cilësuar seancën parlamentare si një ngjarje të turpshme, kreu i PD-së u kërkoi mbështetësve të tij të përfshihen në përballjen me atë që ai e quajti të keqen e madhe.
“15 bashki u ekzekutuan në sallën e parlamentit. Krim i shëmtuar. As deputeti i Divjakës nuk ishte aty, i nxori 1 muaj të protestonin qytetarët dhe dje nuk ishte aty. Skllevër të grabitjeve dhe pasurive të vëna. Shqiptarët përjetuan një thriller të turpshëm. Nuk po mbronim asgjë me baza partiake, po mbronim qytetarët, duhet të kenë vetëqeverisje në zonat dhe komunitetet. Mësimi është që duhet të angazhohemi ndaj të keqes së madhe. Ata që ndoqën mbrëmë seancën panë se sa kriminelë gjakftohtë ishin dje ata”, tha ai.





