“Të paguajnë për atë që na kanë bërë!”/ Mesazhet në “Signal” mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, dy ditë para arrestimit

Komunikimet mes ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi, i cili ndodhej në arrati, janë bërë shkak për komprometimin e pozitës së saj përballë ligjit. Bisedat, të zhvilluara në aplikacionin “Signal”, shtrihen nga dhjetori i vitit 2025 deri më 26 Gusht 2026, kur Agasi u arrestua.

Në këto mesazhe, Hyseni përdor një gjuhë hakmarrëse ndaj SPAK-ut dhe shfaqet e gatshme të mbrojë Agasin nga personat që, sipas saj, po i bënin keq. Ajo duket se e vendos veten në të njëjtën anë me biznesmenin, duke e trajtuar situatën si një betejë të përbashkët.

Të lidhura

None found

“Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë, dua që të paguajnë”, shkruan Vlora Hyseni në një prej komunikimeve.

Rruga që ajo mund të përdorte për t’i bërë përgjegjës këta persona lidhej me informacionet që dispononte SHISH. Megjithatë, ligji ia ndalon këtij shërbimi përdorimin e të dhënave pa autorizimin e organeve të tjera ligjzbatuese.

Nuk dihet se si i është përgjigjur Agasi këtyre mesazheve, por Hyseni vijon ta qetësojë dhe t’i japë kurajë. Ajo i kërkon të mos humbasë kontrollin dhe e siguron se duhet të përballen së bashku me situatën në të cilën ndodhen.

“Thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot”, i shkruan ajo, duke iu referuar gjendjes së Agasit, i cili kërkohej nga policia dhe jetonte në arrati. Nga përmbajtja e bisedave krijohet përshtypja se ai mund të kishte përfituar mbrojtje nga persona brenda strukturave që duhej ta arrestonin.

Megjithëse përpiqet ta mbajë të qetë bashkëbiseduesin, Hyseni duket e vetëdijshme se fundi i tyre mund të jetë pranë. “Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”, shkruan ajo, ndërsa lë të kuptohet se ajo, Agasi dhe një person tjetër po përballeshin me një grup kundërshtar me ndikim të madh.

Sipas mesazheve, ky grup mund t’u kishte shkaktuar dëme serioze, pavarësisht pushtetit dhe qëndrueshmërisë që ata kishin shfaqur. Në të njëjtën kohë, komunikimet ngrenë pikëpyetje edhe për ndikimin që Hyseni mund të kishte mbi kryeministrin Edi Rama, të cilit, sipas ligjit, ajo i jep llogari.

Në një prej bisedave, Hyseni i tregon Agasit se po niset për të takuar kryeministrin dhe se do të qëndrojë vetëm një orë. “Çfarë na bënë o Zot. Po më presin me shku te Km. Jo mo zemër unë një orë, nuk rri më shumë me atë”, shkruan ajo.

Ky komunikim është zhvilluar më 24 Gusht 2026, vetëm dy ditë përpara arrestimit të Agasit. Deri tani mbetet e paqartë nëse takimi me Ramën kishte në qendër çështjen e biznesmenit apo nëse Hyseni po përpiqej të ndërhynte për ta shpëtuar atë.

Një tjetër mesazh, i datës 19 Gusht 2026, lidhet me një takim që Hyseni thotë se do ta zhvillojë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hitaj. “Skënderi më thirri me u taku të hënën…të shpresojmë që ka porosit km….”, shkruan ajo, duke lënë të kuptohet se kryeministri mund t’i kishte kërkuar drejtuesit të policisë të merrej me çështjen.

Nuk dihet nëse biseda e pretenduar me Ramën kishte të bënte me shmangien e arrestimit të Agasit apo me shtyrjen e tij, në një kohë kur informacionet për vendndodhjen e tij në Shqipëri dukeshin të qarta. Për arrestimin duhej që dikush ta ekspozonte.

Më 24 Gusht 2026, Hyseni i shkruan Agasit se të nesërmen ka planifikuar një takim me kryeministrin. “Nesër duhet ta takoj km në 8.30”, thuhet në mesazh. Megjithatë, nga vijimi i komunikimeve duket se takimi mund të mos jetë zhvilluar ose se Hyseni mund të ketë ndjekur një lojë të dyfishtë, duke e mbajtur Agasin me shpresa.

Ajo i thotë se i është shfaqur një takim urgjent me sauditët: “Më doli një takim urgjent… Me sauditët… Kthehem nesër në Ks prapë”. Ndërkohë, bisedat vazhdojnë të përqendrohen te personat që ata i konsiderojnë përgjegjës për tradhti ose dëme ndaj tyre.

“Sa shumë gjëra na kanë bërë ne… kjo është një situatë që do ja hedhim… Problemi është koha… Sa konsistencë kemi…”, shkruan Hyseni. Koha, megjithatë, ishte në disfavorin e të dyve, veçanërisht të Agasit, i cili kishte kaluar një periudhë të gjatë në arrati duke pritur që të shpëtonte.

Në këto komunikime, Hyseni përmend edhe të dhëna me natyrë politike, të cilat nuk janë pjesë e detyrave të SHISH-it. Ajo lë të kuptohet se shërbimi mund të kishte futur në përpunim edhe qeverinë ose Partinë Socialiste dhe se disa prej këtyre informacioneve i përcilleshin Agasit.

“Taulant Balla kryetar kuvendi… Kështu janë infot… Bela me Taon shoku”, shkruan ajo, duke iu referuar Taulant Ballës dhe Belinda Ballukut si pjesë e një grupi.

Një nga pikëpyetjet kryesore është nëse Ergys Agasi e ekspozoi me dashje marrëdhënien e tij me Vlora Hysenin pasi kuptoi se nuk kishte më rrugëdalje. Nuk përjashtohet mundësia që, pas muajsh pa marrë garanci për shpëtimin e tij, ai të ketë tentuar të godasë përmes Hysenit kryeministrin Edi Rama.

Ky dyshim lidhet edhe me faktin se, një muaj para arrestimit, Agasi la qëllimisht në makinën e tij materiale të SHISH. Pas arrestimit, ai pranoi se i kishte vendosur aty enkas, në mënyrë që t’i gjenin hetuesit e SPAK-ut.