Kurti njofton hapjen e tetë poliklinikave të reja stomatologjike në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se në Kosovë do të hapen tetë poliklinika të reja stomatologjike, me synimin që qytetarët të kenë qasje në shërbime specialistike sa më pranë vendbanimeve të tyre.

Të lidhura

None found

Gjatë fjalës së tij në hapjen e Kongresit XI Mbarëkombëtar të Stomatologjisë, Kurti theksoi se kujdesi për shëndetin oral është i lidhur drejtpërdrejt me shëndetin e përgjithshëm dhe se stomatologët e dëshmojnë çdo ditë ndikimin që ai ka në jetën e pacientëve.

Kongresi i këtij viti po zhvillohet nën temën “Stomatologjia bashkëkohore: Avancimi i shëndetit oral përmes shkencës, praktikës klinike dhe inovacionit”.

Sipas kryeministrit, hapi i ardhshëm do të jetë funksionalizimi i poliklinikave në objektet që tashmë ekzistojnë, si dhe ndërtimi i objekteve të reja në zonat ku aktualisht mungojnë.

Kurti bëri të ditur gjithashtu se kanë përfunduar procedurat e nevojshme për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës. Ky objekt, sipas tij, do të ofrojë kushte më të përshtatshme për trajtimin e pacientëve dhe ushtrimin e profesionit nga stafi shëndetësor.

“Si qendër universitare, ajo ka një përgjegjësi të veçantë për mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Investimi në të është investim në dijen dhe aftësinë e brezave që do ta zhvillojnë më tej shëndetësinë tonë. Stomatologjia është kujdes dhe shërbim, është profesion dhe shkencë. Pacientët përfitojnë kur praktika klinike, arsimi dhe kërkimi shkencor ecin së bashku”, tha Kurti.

Edicioni i 11-të i Kongresit Mbarëkombëtar të Stomatologjisë, i organizuar nga Shoqata e Stomatologëve të Kosovës, do të vijojë edhe nesër.


Shtuar më 9.10.2026 14:37