Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se lënda që lidhet me kontestin gjyqësor për Ndërmarrjen Publike Banesore është pranuar dhe regjistruar më 21 gusht 2026 dhe aktualisht ndodhet në proces shqyrtimi.
Të lidhura
None found
Reagimi i institucionit vjen pas protestës së paralajmëruar nga punëtorët e NPB-së për javën e ardhshme. Ata kundërshtojnë bllokimin e llogarive bankare të ndërmarrjes, situatë që ka pamundësuar ekzekutimin e pagave.
Supremja ka deklaruar se i kupton shqetësimet e punonjësve, të cilët, bazuar në raportimet e mediave, po përballen me vonesa në marrjen e pagave për shkak të bllokimit të llogarive bankare të ndërmarrjes.
Megjithatë, Gjykata ka sqaruar se trajtimi i çështjeve gjyqësore bëhet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Sipas saj, përcaktimi i përparësive kryhet duke garantuar barazi dhe paanshmëri ndaj të gjitha palëve.
Për këtë arsye, institucioni ka theksuar se nuk mund të përcaktojë paraprakisht se kur do të përfundojë shqyrtimi i lëndës në fjalë.
“Gjykata Supreme nuk mund të paragjykojë afatin e përfundimit të shqyrtimit të lëndës konkrete. Çdo vendimmarrje do të merret në bazë të ligjit dhe rrethanave të çështjes, në ushtrim të pavarësisë dhe paanshmërisë gjyqësore. Gjykata Supreme respekton të drejtën e qytetarëve dhe punëtorëve për t’i shprehur shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, rikujton rëndësinë e respektimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe të shmangies së çdo forme të presionit që mund të perceptohet si ndërhyrje në procesin e vendimmarrjes gjyqësore”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
Gjykata Supreme ka përsëritur se do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj kushtetuese dhe ligjore, duke garantuar që çdo lëndë të shqyrtohet në përputhje me ligjin, në mënyrë të paanshme dhe sipas standardeve të administrimit të drejtësisë.







