Fituesit e Medaljes së Artë në “Cambrian Patrol 2026” nderohen me medalje nga komandanti i FSK-së

Fitimi i Medaljes së Artë në “Cambrian Patrol 2026” shënon një moment të rëndësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe ndihmon në forcimin e reputacionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përfaqësimi i suksesshëm përkrah forcave ushtarake partnere dhe aleate tregon përkushtimin e pjesëtarëve të FSK-së për të avancuar aftësitë e tyre dhe për të kryer me profesionalizëm misionin dhe detyrat e ngarkuara.

Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, komandant i FSK-së, priti në takim anëtarët e ekipit që përfaqësoi Kosovën në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare ushtarake “Cambrian Patrol 2026”, ku skuadra e FSK-së u vlerësua me Medaljen e Artë.

Të lidhura

None found

Në takim, Gjenerallejtënant Jashari përgëzoi pjesëtarët për arritjen, duke vlerësuar angazhimin, disiplinën, profesionalizmin dhe qëndrueshmërinë e treguar gjatë garës. Ai theksoi se ky rezultat dëshmon përgatitjen e vazhdueshme, bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve dhe përkushtimin për përmbushjen e standardeve të larta ushtarake.

Në shenjë mirënjohjeje për suksesin, komandanti i FSK-së ndau medalje për anëtarët e ekipit, duke çmuar kontributin e tyre në përfaqësimin dinjitoz të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Republikës së Kosovës në një garë me pjesëmarrje ndërkombëtare.

Arritja në “Cambrian Patrol 2026” dëshmon nivelin e përgatitjes fizike e mendore, aftësitë profesionale dhe gatishmërinë e pjesëtarëve të FSK-së për t’u përballur me sfida të ndryshme në kushte kërkuese. Ajo gjithashtu pasqyron përparimin e vazhdueshëm të Forcës në zhvillimin e kapaciteteve dhe ngritjen e standardeve operative.


Shtuar më 9.10.2026 11:12